Thyen masën e arrestit në shtëpi, kapet 32-vjeçari duke transportuar emigrantin nga Afganistani

Një 32-vjeçar u arrestua nga policia e Gjirokastrës pasi rezultoi se kishte thyer masën sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ai u kap në flagrancë tek ura e Kardhiqit duke transportuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, i cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë.
Gjithashtu u procedua penalisht edhe një 27-vjeçar i cili ndodhej në automjetin që drejtonte 32-vjeçari. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat i përkisnin 27-vjeçarit.
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona 3”.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, vihet në pranga 1 shtetas.
Gjithashtu, procedohet penalisht pasagjeri, për moskallëzim krimi dhe mallra kontrabandë.
Sekuestrohen 1 automjet, 2 çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, dhe 2 celularë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar, Sektorin Operacional dhe shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zona 3”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:
K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi M. Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar, në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, automjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin K. B. dhe pasagjer shtetasin M. Gj., të cilët po transportonin kundrejt pagesës 1 emigrant nga Afganistani, i cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë.
Nga verifikimet dhe veprimet hetimore rezultoi se drejtuesi i automjetit, 32-vjeçari, kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat i përkisnin 27-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


