Berisha sulmon Ramën pas raportit të KE-së: Në çdo paragraf mori një damkë të zezë, akuza për korrupsion dhe tenderat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të realitetit dramatik të vendit dhe një dokument që, sipas tij, nxjerr në pah dështimet e qeverisë së Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se raporti përmban kritika të forta për procesin zgjedhor, ndërhyrjet në garën politike dhe bllokimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën për pengimin e drejtësisë në çështjen që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku.
“Raporti i Komisionit Evropian, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë”, deklaroi Berisha, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Një pjesë të konsiderueshme të deklaratës, kreu i PD-së ia kushtoi prokurimeve publike, duke iu referuar shifrave të raportit për anulimin e procedurave dhe mënyrën e shpalljes së fituesve.
Sipas Berishës, 38% e procedurave të prokurimit anulohen, 25% e tenderave fitohen me vetëm një ofertë, ndërsa rreth 30% e tyre shpallen fitues me vlerën më të lartë. Ai pretendoi se këto shifra dëshmojnë për abuzime me fondet publike dhe favorizim të subjekteve të caktuara.
Në këtë kontekst, Berisha përmendi edhe emrin e Armand Frangut dhe AKSHI-n, duke ngritur akuza për përfitime nga tenderat dhe procedurat sekrete. Ai akuzoi gjithashtu familjarë të kryeministrit për lidhje me këto procedura, pa paraqitur prova të reja gjatë deklaratës.
Kreu i opozitës pretendoi se raporti i KE-së mbështet edhe shqetësimet e ngritura nga opozita për rënien e prodhimit, ligjet që favorizojnë klientelën dhe problematikat në prokurimet publike. Ai e interpretoi dokumentin gjithashtu si një mbështetje për protestat kundër qeverisë.
Berisha vlerësoi rolin e opozitës në procesin e hartimit të raportit, duke thënë se Partia Demokratike kishte ndihmuar në sjelljen në Shqipëri të misionit faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, si dhe të një delegacioni të Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Në përfundim, lideri demokrat deklaroi se opozita ka përmbushur detyrën e saj në mbrojtje të interesave të qytetarëve, por shtoi se mbetet ende punë për t’u bërë për atë që ai e cilësoi si zbërthimin e mëtejshëm të “narkoshtetit” dhe ndikimit të krimit në Shqipëri.
Berisha:
Java ishte një javë tejet e trishtë për narkoregjimin e Padrinos së Shqipërisë. Raporti i Komisionit Europian që është dhe raporti më i rëndësishëm për procesin më kryesor të Shqipërisë, avancimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, këtë vit ishte si asnjë vit më parë.
Këtë vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë.
Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë.
Sipas raportit, zgjedhjet nuk plotësuan kriterin më themelor ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira, barazinë e palëve në garë dhe u ndërthurën me ndikime nga më të ndryshmet.
Raporti denoncon Edi Ramën dhe parlamentin për bllokimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por në mënyrë të veçantë si strumbullari i zi në këtë raport qëndron Lubi Rama, t’ia heqim atë mbiemër Balluku ose ta quajmë Edvin Balluku, me vjedhjet e saj të pallogaritshme së bashku me Palloshin e Gjatë dhe 81 mandatet e krimit që bllokuan drejtësinë, bllokuan arrestimin e saj.
Raporti i jep një mbështetje protestave të fuqishme kundër narkoregjimit, sikundër denoncon rënien e prodhimit në Shqipëri, denoncon ligjet e klientelës dhe kërkon anulimin e menjëhershëm të tyre.
Shpartallon siç është me denoncimet e tij prokurimet publike dhe fakton indirekt se ajo që thotë opozita se në 13 vite, nga rreth 72 miliardë euro taksa dhe tatime në total, Edi Rama, organizata e tij kriminale dhe lukunia e tij ka vjedhur dhe ka shpërdoruar të paktën 50 miliardë.
Po ku e thotë këtë?
Lexoni çfarë thotë për prokurimet. 38 përqind e prokurimeve anulohen. Dihet pse anulohen, kur ata që janë në tender nuk pranojnë pazare paraprake, tenderi gjithnjë anulohet.
25 përqind e tenderave, thotë raporti, fitohen me një garë.
Ai që fiton me një garë me tendera sekretë më shumë se çdokush tjetër është familja Rama, Armand Frangu, kunati i dashur i Linda Ramës dhe baxhanaku që shndërroi AKSHI-n në kopshtin privat të Edi Ramës.
Pra ai, me procedura sekrete me një ofertë është numri një në Shqipëri.
Raporti për prokurimet publike thotë se rreth 30 përqind e tenderave janë fituar me shumën më të lartë.
Me shumën më të lartë sepse ajo shuma më e lartë do të thotë që paratë ndahen midis tenderuesit dhe tenderfituesit.
Pra në historinë e raporteve të Komisionit Europian, ky raport damkos në mënyrë përfundimtare Edi Ramën, dhe unë falënderoj
Komisionin Europian për raportin e tij, por theksoj këtu jashtë modestisë se opozita ka luajtur rolin e saj.
Se opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian.
Opozita ia doli të sjellë në Shqipëri si mision faktmbledhës misionin e EPP-së të përbërë nga përfaqësues të 30 partive, shumica e të cilëve sot janë në pushtet.
Pra jemi mirënjohës por jemi gjithashtu krenarë sepse kemi bërë detyrën tonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Mbetet prapë punë për t’u bërë, mbetet punë veçanërisht për zbërthimin e mëtejshëm të narkoshtetit dhe Shqipërisë si protektorat krimi, problemi më madhor, ndër më madhorët në tërë historinë tonë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE


