Temu, AliExpress dhe Amazon nën rregulla të reja në Shqipëri, produktet që shiten online do të kontrollohen sipas ligjeve

Platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike, si Temu, AliExpress apo Amazon, do të duhet të respektojnë rregullat shqiptare për sigurinë e produkteve që u shesin konsumatorëve në Shqipëri. Kjo parashikohet në projektligjin e ri për sigurinë e produkteve joushqimore, i cili synon të shtrijë detyrimet ligjore edhe mbi tregtarët dhe platformat e huaja që operojnë në tregun shqiptar përmes internetit.
Nisma e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndryshon mënyrën se si trajtohen ligjërisht shitjet online nga jashtë vendit, duke përcaktuar se një produkt konsiderohet i disponueshëm në tregun shqiptar edhe kur shitet përmes një platforme ndërkombëtare, nëse oferta u drejtohet konsumatorëve në Shqipëri.
Sipas nenit 5 të projektligjit, nuk është e nevojshme që kompania të ketë seli, magazina apo dyqane fizike në Shqipëri që oferta e saj të konsiderohet e drejtuar tregut vendas.
Mjafton të plotësohet të paktën një nga kriteret e përcaktuara në ligj, si mundësia për të porositur dhe marrë produkte në Shqipëri, përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimet tregtare, pranimi i pagesave në lekë ose përdorimi i strategjive të marketingut që synojnë konsumatorët shqiptarë.
Kjo do të thotë se platformat ndërkombëtare si Temu, AliExpress dhe Amazon mund të përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit, për aq sa ofertat e tyre plotësojnë kriteret për shitje në tregun shqiptar.
Por detyrimet ndryshojnë sipas rolit të secilit subjekt, pasi projektligji bën dallim ndërmjet tregtarit që shet produktin, prodhuesit, importuesit dhe platformës që ndërmjetëson shitjen.
Një nga kërkesat kryesore është identifikimi i qartë i subjektit përgjegjës për sigurinë e produktit. Oferta online duhet të përmbajë të dhënat e prodhuesit, informacionin që mundëson identifikimin e mallrave dhe paralajmërimet për sigurinë në gjuhën shqipe.
Kur prodhuesi ndodhet jashtë Shqipërisë, kërkohet edhe identifikimi i personit përgjegjës sipas legjislacionit shqiptar.
Projektligji vendos detyrime të drejtpërdrejta edhe për platformat e tregtimit në internet. Ato duhet të krijojnë kanale komunikimi me autoritetet shqiptare dhe konsumatorët, si dhe mekanizma për trajtimin e ankesave dhe identifikimin e produkteve të rrezikshme.
Nëse autoritetet shqiptare konstatojnë se një produkt i ofruar në internet paraqet rrezik për konsumatorët, mund të urdhërojnë heqjen e ofertës, çaktivizimin e aksesit ose vendosjen e një paralajmërimi.
Platforma duhet ta zbatojë urdhrin brenda dy ditëve pune nga marrja e tij, ndërsa njoftimet për produkte potencialisht të rrezikshme duhet të shqyrtohen jo më vonë se tri ditë pune.
Në rastet kur një produkt tërhiqet për arsye sigurie, platformat duhet të bashkëpunojnë për informimin e blerësve, ndërsa operatorët ekonomikë përgjegjës kanë detyrime për riparimin, zëvendësimin ose rimbursimin e konsumatorëve sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.
Shkeljet e këtyre detyrimeve mund të sjellin gjoba nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë për personat juridikë, të cilat mund të dyfishohen në rast përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje brenda dy viteve.
Megjithatë, shtrirja e rregullave shqiptare mbi platformat ndërkombëtare krijon edhe një sfidë të rëndësishme për autoritetet vendase.
Ndërsa projektligji përcakton detyrimet dhe sanksionet, mbetet për t’u parë se si do të zbatohen konkretisht vendimet ndaj kompanive të huaja që nuk kanë përfaqësi apo asete në Shqipëri.
Mundësia për të nxjerrë një urdhër administrativ nuk garanton automatikisht ekzekutimin e tij ndaj një platforme që operon nga një juridiksion tjetër.
Projektligji është hartuar në kuadër të përafrimit me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2023/988 për sigurinë e përgjithshme të produkteve, e cila zbatohet në shtetet anëtare që prej dhjetorit 2024.
Nëse miratohet, ligji do të krijojë një bazë të re juridike për kontrollin e sigurisë së mallrave që shqiptarët blejnë në internet, pavarësisht nëse tregtari ndodhet brenda apo jashtë vendit.
Synimi është që konsumatorët shqiptarë të kenë mbrojtje nga produktet e pasigurta edhe kur blejnë në platformat ndërkombëtare, megjithëse efektiviteti i këtij mekanizmi do të varet nga aftësia e institucioneve për të zbatuar rregullat përtej kufijve të Shqipërisë. /skyweb


