'Shota', makina e parë ushtarake e blinduar 'Made in Albania'! Do prezantohet në panairin e mbrojtjes në Paris
Për herë të parë në Shqipëri prodhohet makina e parë ushtarake e blinduar. ‘Shota’, një emër me domethënie të veçantë është zgjedhur për makinën, në nder të luftëtares shqiptare Shote Galica. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook, pamjet se si duket makina e parë ushtarake shqiptare.
“Mirëmëngjesi dhe me “shotën”, automjetin e parë ushtarak të blinduar ‘Made in Albania’, një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Prezantimi i saj do të bëhet në Panairin Eurosatory Paris 2024 në panairin ndërkombëtar për mjete mbrojtje, në të cilin Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare.
Panairi zgjat nga data 17 deri në 21 qershor dhe marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota, ku mes tyre do përfaqësohet edhe Shqipëria. Në panair do ketë delegacione nga shtete të ndryshme, edhe përfaqësues të SHBA e NATO, të interesuar për mjete në fushën e mbrojtjes.
‘Sota’ mishëron frymën e inovacionit dhe fuqizimit… Shota është prodhuar nga kompania shqiptare TIMAK. Kjo kompani ka prodhuar edhe ambulanca të blinduara të cilat janë dërguar në Izrael.