U ngatërrua me person tjetër, turisti shqiptar mbahet për 20 ditë në qendrën e emigrantëve në Bari

Bota

U ngatërrua me person tjetër, turisti shqiptar mbahet për 20

Një rast i pazakontë ka ndodhur në Itali, ku një turist shqiptar është mbajtur për 20 ditë në Qendrën e Përhershme të Riatdhesimit (CPR) në Bari, për shkak të një gabimi në identifikim.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, shqiptari ishte ndaluar pas një kontrolli policor në Modena. Pavarësisht se kishte dokumentet e udhëtimit dhe vizën e hyrjes në pasaportë, autoritetet e trajtuan si një shtetas të huaj që qëndronte në mënyrë të parregullt në Itali që prej vitit 2014.

Ngjarja nisi më 26 shkurt 2026, kur shqiptari u shoqërua në komisariatin e Modenës për verifikime. Në vendimin e dëbimit të nxjerrë nga Prefektura e Modenës thuhej se ai kishte hyrë në Itali më 18 qershor 2014 dhe që prej asaj kohe qëndronte në mënyrë të paligjshme.

Dyshimet janë se autoritetet e kishin ngatërruar me një person tjetër që kishte të njëjtin emër dhe mbiemër. Kështu, pavarësisht pasaportës që dispononte, shqiptari u dërgua në qendrën e emigrantëve në Bari-Palese.

Më 27 shkurt, Gjykata e Paqes në Bari miratoi mbajtjen e tij në qendër. Por më pas, avokatja Uljana Gazidede, e ndihmuar edhe nga shoqata Melting Pot, kërkoi rishqyrtimin e çështjes, duke paraqitur si provë pasaportën biometrike me vulën e hyrjes në Itali, të datës 16 shkurt 2026.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, gjykata urdhëroi lirimin e tij. Megjithatë, beteja ligjore për anulimin e dëbimit vijoi edhe për disa muaj.

Më 23 tetor 2026, Gjykata e Paqes në Modena vendosi të pranonte ankimin e shqiptarit dhe të anulonte urdhrin e dëbimit. Në vendimin e saj, gjykata theksoi se nuk kishte prova që shqiptari të ishte i njëjti person që, sipas të dhënave të policisë, kishte hyrë në Itali në vitin 2014.

Sipas legjislacionit të zonës Schengen, shtetasit shqiptarë që disponojnë pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në Itali dhe në vendet e tjera të zonës deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa pasur nevojë për vizë. Në rastin konkret, afati i lejuar i qëndrimit nuk kishte përfunduar.

Avokatja Gazidede e ka cilësuar rastin si një gabim të rëndë, pasi, sipas saj, mjaftonte që autoritetet të kontrollonin vulën në pasaportë dhe ta krahasonin me datën e shënuar në vendimin e dëbimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion