Neymar rrezikon mungesën edhe në ndeshjen e dytë, vazhdon rikuperimin pas dëmtimit

Sulmuesin brazilian Neymar, vazhdon të përballet me problemet fizike pas dëmtimit në pulpën e këmbës së djathtë. Sipas raportimeve të “CNN Brazil”, futbollisti i Santosit ende nuk është në gjendje të rikthehet në fushën e lojës dhe rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen e dytë të Brazilit në grup, përballë Haitit.
Ylli brazilian po ndjek një program intensiv rikuperimi, i cili përfshin seanca fizioterapie dy herë në ditë, stërvitje të kufizuar në palestër dhe monitorim të vazhdueshëm mjekësor e nutricional. Të shtunën, ai nuk është stërvitur në fushë, por ka punuar vetëm në ambiente të mbyllura.
Federata Braziliane e Futbollit ka konfirmuar se gjendja e tij shëndetësore ka shënuar përmirësim, megjithatë nuk janë dhënë detaje konkrete mbi shkallën e progresit apo një afat të saktë për rikthimin e tij në stërvitje me top.
Sipas specialistëve ortopedë të cituar nga “CNN Brazil”, dëmtime të këtij lloji kërkojnë mesatarisht rreth tre javë rikuperim, të cilave u shtohen edhe disa ditë shtesë për rikthimin e plotë të formës fizike. Kjo e bën të vështirë aktivizimin e tij në ndeshjen e radhës.
Brazili do të zbresë në fushë sonte në mesnatë për ndeshjen e parë të grupit ndaj Marokut, sfidë në të cilën Nejmar nuk do të jetë i gatshëm për lojë për shkak të dëmtimit.
Pavarësisht mungesës në fushë, ai ka marrë leje të qëndrojë pranë skuadrës dhe pritet të jetë i pranishëm në pankinë për të mbështetur bashkëlojtarët gjatë ndeshjes.
Pak orë para sfidës, sulmuesi brazilian ka reaguar edhe në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen dhe emocionet për pjesëmarrjen në kompeticion dhe mbështetjen ndaj ekipit kombëtar.