Nga Spanja drejt Tiranës, ekstradohet Eralbi Breçani nën akuzat e SPAK për grup kriminal

Aktualitet

Nga Spanja drejt Tiranës, ekstradohet Eralbi Breçani nën akuzat

Është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë Eralbi Breçani, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për veprat penale të lidhura me trafikun e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Breçani, djali i ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, është ndaluar më herët nga autoritetet spanjolle dhe është dorëzuar sot tek autoritetet shqiptare në bazë të procedurave të ekstradimit.

Ai kërkohej nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) me kërkesë të SPAK, pas hetimeve të zhvilluara mbi komunikime të përgjuara në aplikacione të koduara, pjesë e një dosjeje të gjerë kriminale.

Sipas akuzave zyrtare, Eralbi Breçani dyshohet për “trafikim të narkotikëve” në bashkëpunim në formën e “grupit të strukturuar kriminal”, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme e lidhin atë me një rrjet të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës, që sipas dosjes dyshohet se operonte nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Europës.

Pas mbërritjes në Shqipëri, ai pritet të përballet me masat procedurale dhe vijimin e hetimeve në gjykatat e posaçme.

 

ME TE LEXUARAT