Milani merr kryesimin e Serisë A

Sport

Milani merr kryesimin e Serisë A

Milan ka fituar bindshëm 3-0 ndaj Hellas Verona në “San Siro”, duke u shkëputur me dy pikë në krye të tabelës dhe duke e çuar në pesëmbëdhjetë ndeshje serinë pa humbje në kampionat.

Pjesa e parë ka qenë me pak raste. Mundësia e parë serioze ka ardhur pas njëzet minutash, kur gjuajtja e devijuar e Ruben Loftus-Cheek ka kaluar pranë shtyllës.

Kur është dukur se dyzet e pesë minutat e parë do të mbylleshin pa gola, Milan e ka gjetur avantazhin në kohën shtesë: pas një goditje nga këndi të Luka Modrić, Adrien Rabiot e ka devijuar topin me kokë te Christian Pulisic, i cili ka shënuar nga afër për 1-0.

Pjesa e dytë ka nisur më mirë për vendasit. Qysh në minutën e parë, Milan ka fituar penallti pas faullit të Victor Nelsson ndaj Nkunku.

Vetë sulmuesi francez është treguar i saktë nga pika e bardhë dhe e ka dyfishuar rezultatin, duke realizuar golin e tij të parë në kampionat me fanellën kuqezi. Vetëm pesë minuta më vonë, Nkunku ka shënuar sërish, duke përfituar nga një top i kthyer nga shtylla pas goditjes së Modrić.

Milan ka pasur edhe raste të tjera për të thelluar rezultatin, por portieri Montipo është treguar vendimtar ndaj Loftus-Cheek. Në minutat e fundit, ritmi ka rënë dhe ndeshja është mbyllur pa surpriza, mes festës së tifozëve vendas.

Ndeshjen e radhës në Serie A, Milan e luan më 2 janar, në transfertë ndaj Cagliarit. Ndërkohë, Verona mbetet në zonën e rënies nga liga, në vendin e tetëmbëdhjetë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion