"E mposht un i pari, titulli i imi", Marku duel me rumunin e pathyeshëm

Sport

"E mposht un i pari, titulli i imi", Marku  duel me rumunin e

Ishte zbuluar në mënyrë jo zyrtare më parë, por tani është vetë Florian Marku, që konfirmon gjithçka. Boksieri shqiptar, i vendosur prej vitesh në Londër ka arritur të fitojë besimin e federatave angleze dhe i është dhënë mundësia për të fituar një titull ndërkombëtar.

Më datë 7 gusht Florian Marku do të ndeshet me Maxim Prodan në një betejë me 12 raunde për titullin International Welterweight. Ky është lajmi i madh i Markut sot, i cili e njofton me paralajmërim për kundërshtarin.

“Më datë 7 gusht, ndeshem për titullin International Welterweight kundër Maxim Prodan. Ka 19 ndeshje, të gjitha fitore. I ka ardhur koha për humbjen e parë sepse ky titull është i imi”, shkruan Marku.  Më pas ai ka publikuar edhe një video në makinë, ku tregon qartë motivimin e madh për këtë ndeshje dhe shprehet se kurrsesi nuk do e lërë këtë titull t’i ikë nga duart.

“Më 7 gusht, keni për ta parë! Titulli im i parë në boks, mendoni se do e lë më ikë? Jo 19, por 100 ndeshje të fituara të ketë kundërshtari, do jem më gati se kurrë. Mezi pres, ju përshëndes të gjithëve”, shprehet Marku.

Prodan është boksier rumun, të lindur në Ukrainë. 28-vjeçari ka 20 ndeshje në karrierë dhe nuk njeh humbje. Prodan ka triumfuar 19 herë, 15 me KO dhe një ndeshje e ka mbyllur në barazim.

Sikurse kuptohet, kundërshtari i Markut është goxha serioz. Edhe boksieri shqiptar nuk ka asnjë humbje deri më tani. Ai ka triumfuar 8 herë dhe një herë ka dalë barazim, në një ndeshje shumë të diskutuar kundër Jamie Stewart.

ME TE LEXUARAT