Spanjë, policia ndërhyri për konfliktin mes dy familjeve, shpërthen eksplozivi, vd'es efektivi
Një efektiv i Policisë Kombëtare spanjolle ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive gjatë një ndërhyrjeje policore në qytetin Oviedo, në veri të Spanjës.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, pasi policia ishte njoftuar për një konflikt të dhunshëm mes dy familjeve. Gjatë përplasjes një vajzë e re u qëllua me armë zjarri nga një person dhe mbeti e plagosur. Sipas autoriteteve lokale, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Kur mbërritën në vendngjarje, në periferi të Oviedos,efektivët zbuluan një çantë shpine në hyrje të një pallati, brenda së cilës ndodhej një pajisje shpërthyese.
Sipas sindikatës së policisë JUPOL, efektivët tentuan ta largonin çantën nga ndërtesa për të neutralizuar eksplozivin, por në atë moment pajisja shpërtheu.
Efektivi që humbi jetën ishte pjesë e njësisë së qenve të Policisë Kombëtare, ndërsa polici i plagosur i përkiste njësisë për çaktivizimin e eksplozivëve. Ky i fundit ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe, sipas sindikatës, ka humbur njërën këmbë.
Autoritetet spanjolle po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe lidhjen e pajisjes shpërthyese me konfliktin mes dy familjeve.


