Dëmtohet mbrojtësi i Kombëtares, do t’i nënshtrohet operacionit që do ta mbajë gjatë jashtë fushe

Për shkak të problemeve fizike, mbrojtësi i kombëtares, Naser Aliji, do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Lajmi është bërë i ditur nga trajneri i Dinamos, Ilir Daja, pas ndeshjes ndaj Elbasanit, takim në të cilin Aliji luajti 90 minuta.
“Ngarkesa që ka Aliji është shumë e madhe dhe mund ta humbasim Aljin për një periudhë dymujore, se ka probleme me pubalgjinë dhe mund të operohet, e ka luajtur i sforcuar”, shpjegoi Daja pas duelit.
Kësisoj, pritet që Aliji të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale për të shmangur probleme të mëtejshme, në një periudhë ku shihet qartësisht që ajo është planifikuar në mënyrë të tillë që të jetë në formën optimale në fundin e muajit mars, kur luhen sfidat e play-off të Kombëtares për kualifikimin në Botëror.


