Dronët dhe radarët në aksion, mbi një mijë shoferë të ndëshkuar në Dibër për një javë

Policia Rrugore në Dibër ka shtuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente për të evidentuar shkeljet e rregullave të qarkullimit dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
Gjatë javës së parë të muajit nëntor, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve, janë vendosur 1350 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Ndër shkeljet kryesore të konstatuara janë parakalimet e gabuara, ndalimi dhe qëndrimi i parregullt i automjeteve, drejtimi nën efektin e alkoolit dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar dy persona për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër është nën hetim për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Policia Rrugore e Dibrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut, ndërsa u bën apel drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të tregojnë kujdes gjatë drejtimit dhe të shmangin çdo veprim që rrezikon sigurinë rrugore.


