Skandali me bankën dhe miliona klientë pa akses në llogaritë e tyre, dorëhiqet presidenti i Paraguait

Bota

Skandali me bankën dhe miliona klientë pa akses në llogaritë

Presidenti konservator i Paraguait, Santiago Pena, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra, duke deklaruar se vendimi është marrë në interes të stabilitetit të vendit, paqes sociale dhe mbrojtjes së institucioneve demokratike.

Në një mesazh të regjistruar me video, Pena u shpreh se largimi i tij synon të shmangë përshkallëzimin e krizës politike, e cila shpërtheu pas kolapsit të bankës Ueno.

“Duke pasur parasysh stabilitetin e vendit, paqen sociale dhe nevojën për të mbrojtur institucionet demokratike, kam vendosur të jap dorëheqjen”, deklaroi ai.

Vendimi erdhi pasi opozita kishte thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar paraqitjen në parlament të një kërkese për shkarkimin e presidentit.

Situata u përkeqësua edhe më tej gjatë ditës së sotme, kur Pena humbi mbështetjen edhe të disa anëtarëve të partisë së tij konservatore. Ndërkohë, zëvendëspresidenti Pedro Alliana pritet të marrë drejtimin e vendit.

Kriza politike lidhet drejtpërdrejt me falimentimin e bankës Ueno, për të cilën ligjvënësit kanë ngritur akuza ndaj presidentit për konflikt interesi, keqpërdorim të fondeve të pensioneve dhe mbulim institucional të problematikave që çuan në kolapsin e saj.

Banka Ueno ishte zhvilluar me shpejtësi nga një platformë e specializuar në teknologjinë financiare në një institucion bankar që administronte fonde publike në vlerën e 850 milionë dollarëve.

Presidenti 47-vjeçar, Santiago Pena, kishte lidhje me bankën, pasi deri në vitin 2025 zotëronte aksione në një grup investimesh që kontrollon Ueno Bank.

Në mesazhin e tij, Peña theksoi se përparësi mbetet rikuperimi i fondeve dhe mbrojtja e parave publike, si dhe e kursimeve të qytetarëve.

“Dëshiroj mbi të gjitha të garantohet kthimi i këtyre fondeve, të përmbushë funksionin e tij fondi i sigurimit të depozitave dhe të mbrohen fondet publike, si dhe burimet që u përkasin të gjithë paraguajanëve”, u shpreh ai.

Përballë një krize të aftësisë paguese, Ueno Bank u vu nën kontrollin e Bankës Qendrore të Paraguait dhe iu nënshtrua procesit të likuidimit.

Sipas autoriteteve, masa u ndërmor për të “mbrojtur depozituesit dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit financiar”.

Megjithatë, vendimi shkaktoi një krizë të rëndë, pasi rreth 3 milionë klientë të bankës humbën aksesin e menjëhershëm në llogaritë e tyre.

Kolapsi i institucionit financiar dhe akuzat për lidhjet e presidentit me të shkaktuan tronditje në skenën politike të Paraguait, duke përshpejtuar presionin për largimin e tij nga posti.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion