Transportonin emigrantë drejt BE, 3 në pranga në Gjirokastër, shpallet në kërkim 29-vjeçari

Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Gjirokastër, pas dy operacioneve policore të zhvilluara brenda 24 orëve kundër transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt shteteve të Bashkimit Europian.
Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Në kuadër të operacionit të parë, “Zona 01”, u arrestuan në flagrancë tre shtetas: A. B., 43 vjeç, dhe A. L., 45 vjeç, banues në Durrës, si dhe A. C., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas Policisë, 43-vjeçari dhe 38-vjeçari u kapën në afërsi të fshatit Shtëpëz, teksa transportonin me automjet katër emigrantë nga vendet e treta. Ndërsa 45-vjeçari dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit, duke lëvizur me një automjet tjetër për të sinjalizuar bashkëpunëtorët në rast të pranisë së forcave të Policisë.
Ndërkohë, gjatë operacionit të dytë, “Zona 02”, u identifikua dhe u shpall në kërkim një 29-vjeçar, banues në fshatin Cakran të Fierit.
Ai dyshohet se po transportonte katër emigrantë nga vendet e treta në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, kur nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar. Sipas njoftimit zyrtar, 29-vjeçari vijoi lëvizjen me shpejtësi dhe më pas braktisi automjetin pranë kthesës së Memaliajt, duke arritur të largohej.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

