Shqiptari i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në Francë mbetet në burg, kërkohet edhe nga Shqipëria

Një 30-vjeçar shqiptar do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në qytetin e La Rochelle. Gjykata ka refuzuar kërkesën e tij për lirim, duke vlerësuar se ekziston rreziku që ai të arratiset dhe t’i shmanget drejtësisë.
I arrestuar më 16 tetor, shqiptari u dërgua në burgun e Rochefort. Vetëm tre ditë më vonë, ai doli përpara Gjykatës së La Rochelle, ku u shqyrtua kërkesa për lirimin e tij. Vendimi përfundimtar mbi akuzat pritet të jepet më 2 dhjetor.
Sipas mediave franceze, 30-vjeçari qëndronte ilegalisht në Francë dhe kishte përdorur dokumente të falsifikuara, duke u paraqitur me identitet italian. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar përdorimin e identitetit të rremë.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që rëndon mbi të. Shqiptari rezulton gjithashtu në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit, me një urdhërarrest të lëshuar më 13 dhjetor 2016, pas një kërkese ekstradimi nga Shqipëria, ku dyshohet për tentativë vrasjeje. Ai i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se është ngatërruar me një person tjetër.
Ndërkohë, hetimet në Francë lidhen me dyshimet për shfrytëzim prostitucioni gjatë periudhës 1 janar 2023 – 7 tetor 2026. I pandehuri mohon çdo përfshirje, duke deklaruar se nuk e dinte që partnerja e tij, me të cilën bashkëjetonte që prej vitit 2022, ushtronte prostitucion.
Gjatë seancës, ai pretendoi se gruaja kishte ndjekur të njëjtën mënyrë jetese edhe gjatë martesave të mëparshme. Nga ana tjetër, hetuesit po analizojnë telefonin e tij celular dhe po punojnë për identifikimin e një tjetër gruaje, e cila dyshohet se mund të jetë shfrytëzuar në të njëjtin qytet.
Prokuroria kundërshtoi lirimin e tij, duke argumentuar se mungesa e një statusi të rregullt qëndrimi në Francë dhe përdorimi i identitetit të rremë e bëjnë atë të vështirë për t’u gjurmuar në rast largimi. Gjithashtu, u vu në dukje se ai kërkohet nga autoritetet shqiptare për një akuzë të rëndë.
Gjykata vendosi të pranojë argumentet e prokurorisë dhe të lërë shqiptarin në qeli. Pas vendimit, 30-vjeçari pretendoi se ishte kërcënuar edhe gjatë qëndrimit në burg, duke thënë se dispononte pamje filmike që mund të vërtetonin pretendimin e tij.


