Shqipërisë i duhen 9,8 miliardë dollarë për klimën, vetëm 7% e fondeve janë siguruar

Shqipëria ka nevojë për rreth 9,8 miliardë dollarë për të përballuar pasojat e ndryshimeve klimatike, por deri tani është siguruar financimi për vetëm 7% të kostos së parashikuar.
Të dhënat janë publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, më 13 tetor, në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë.
Sipas UNDP, Plani i dytë Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike, që mbulon periudhën 2026 deri në 2036, parashikon 66 masa prioritare në nivel kombëtar dhe 356 ndërhyrje vendore në tetë bashki.
Masat përfshijnë menaxhimin e burimeve ujore, mbrojtjen nga thatësirat, parandalimin e zjarreve në pyje dhe mbrojtjen e zonave bregdetare.
Megjithatë, hendeku financiar mbetet i madh. Nga 9,8 miliardë dollarët e nevojshëm, financimi i siguruar deri tani përfaqëson rreth 686 milionë dollarë, ndërsa afërsisht 9,1 miliardë dollarë mbeten pa mbulim financiar, bazuar në përqindjen e raportuar nga UNDP.
Mungesa e fondeve tregon përmasën e sfidës që ka Shqipëria për të përgatitur infrastrukturën dhe institucionet për ngjarjet ekstreme të motit.
Tërmeti i nëntorit 2019, përmbytjet dhe zjarret në pyje kanë treguar se fatkeqësitë natyrore mund të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike dhe të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Në këtë kuadër, UNDP ka vënë në zbatim fazën e dytë të projektit RESEAL, që synon forcimin e mbrojtjes civile në nivel vendor.
Një nga zonat ku po zbatohet projekti është qarku i Shkodrës, i cili përballet me rreziqe të larta nga përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme klimatike.
Në pesë bashkitë e qarkut, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës, janë përmirësuar zyrat e mbrojtjes civile dhe qendrat operacionale, përmes pajisjeve, trajnimit të personelit dhe procedurave më të qarta të reagimit.
Synimi është që autoritetet vendore të marrin vendime më shpejt, të shkëmbejnë informacion në kohë dhe të koordinojnë ndërhyrjet gjatë emergjencave.
Faza e dytë e RESEAL ka nisur në janar 2025 dhe do të vijojë deri në dhjetor 2028, me mbështetjen e Zvicrës dhe qeverisë shqiptare.
Projekti përfshin gjithashtu hartimin e planeve vendore të emergjencave, vlerësimin e rreziqeve, simulimet e situatave të krizës dhe ndërgjegjësimin e nxënësve në shkolla.
UNDP thekson se Shqipëria ka bërë përparim në ngritjen e strukturave të mbrojtjes civile, por sfida kryesore mbetet kthimi i planeve dhe strategjive në masa konkrete që mbrojnë qytetarët.
Përveç financimit, rëndësi ka edhe aftësia e bashkive për të reaguar në kohë, për të paralajmëruar popullsinë dhe për të kufizuar dëmet përpara se një emergjencë të kthehet në katastrofë.


