E rëndë në Itali / 25-vjeçari vret të dashurën, djeg makinën në autostradë dhe hidhet nga ura

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 25-vjeçar ka vrarë të dashurën e tij 23-vjeçare dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Viktima, Ionela Miruna Girneata, me origjinë rumune, dyshohet se është vrarë nga Andrea Nardini, i cili më pas ka udhëtuar rreth 70 kilometra me automjetin e tij, përpara se të vetëvritej në një viadukt të autostradës A1, pranë Barberino di Mugello.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, 25-vjeçari dyshohet se ka përdorur një objekt të fortë për të vrarë të renë. Trupi i saj u gjet në banesën e çiftit, në rrugën Roma, në Ponte Buggianese, në provincën e Pistojës.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka konstatuar shenja të mundshme përleshjeje në trupin e viktimës, ndërsa në banesë kishte sasi të konsiderueshme gjaku. Arma e krimit nuk është gjetur ende.
Për arsye sigurie, efektivët kanë sekuestruar edhe disa armë gjahu që ndodheshin në banesë. Sipas autoriteteve, nuk rezulton të ketë pasur denoncime të mëparshme për çiftin.
Si ndodhi ngjarja:
Dyshohet se Nardini e ka vrarë të dashurën pak pas orës 08:00 të mëngjesit. Më pas, ai ka marrë automjetin e tij, një Alfa Romeo Giulietta, dhe është larguar drejt autostradës.
Prokuroria e Pistojës ka përgënjeshtruar dëshmitë e disa fqinjëve, të cilët pretendonin se 25-vjeçari ndodhej ende në vendngjarje kur mbërriti policia. Sipas hetimeve, ai ishte larguar tashmë, duke marrë fillimisht drejtimin e Pratos dhe më pas autostradën A1 drejt veriut.
Pas rreth një ore udhëtim dhe afro 70 kilometrash larg vendit ku kishte kryer krimin, Nardini ka telefonuar numrin e emergjencës 112, duke deklaruar se kishte vrarë të dashurën e tij.
Më pas, ai ka mbërritur në viaduktin Lora, pranë Barberino di Mugello, ku i ka vënë flakën automjetit dhe vetes, përpara se të hidhej nga ura. Drejtuesit e automjeteve që po kalonin në autostradë kanë njoftuar gjithashtu shërbimet e emergjencës për makinën që ishte përfshirë nga flakët.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një tjetër femicid të rëndë të ndodhur në shtator, atë të Lorena Iscerit, e cila u hodh nga i njëjti viadukt nga Federico Vella, pas rrëmbimit të saj. Edhe autori i asaj ngjarjeje i dha fund jetës në të njëjtën mënyrë.
Tragjedia ndodhi vetëm një ditë pas 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.


