Shpërthimi në Elbasan/ Pezullohet kërkimi për 69-vjeçarin e zhdukur, shkak rrezikshmëria e ndërtesës (VIDEO)

Ekspertët nga Ministria e Mbrojtjes vendosën që të pezullojnë për sotë operacionin për kërkimin e personit që është raportuar i zhdukur nga shpërthimi në pallatin në Elbasan.
Shkak për pezullimin u bë rrezikshmëria që paraqet ndërtesa. 69-vjeçari Hamit Ibro është pronari i apartamentit në katin e tretë ku dyshohet se nisi shpërthimi.
Teksa operacionet e kërkimit për gjetjen e 69-vjeçarit që ndodhet ende nën rrënojat e pallatit që u shkatërrua nga shpërthimi i sotëm në Elbasan do vazhdojë nesër, në terren ka mbërritur edhe Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, Kolonel Hajdar Gurra.
Komandanti Gurra tha se nga kamerat termike që janë përdorur gjatë kërkimeve, ka pak gjasa që 69-vjeçari të gjendet i gjallë
“Në terren janë dy ekipe kërkim shpëtimi, 16 persona me të gjitha mjetet e nevojshme.
Operacioni paraqet rrezikshmëri shumë të lartë pasi godina është tërësisht e shkatërruar.
Do të vijojmë kërkimet deri në fund duke ruajtur të gjithë parametrat e sigurisë për punonjësit tanë.
Nga kamerat termike që kemi përdorur, ka shumë pak gjasa që 69 vjeçari Hamit Ibro të gjendet i gjallë.
Jemi duke kërkuar në pjesën e godinës ku sipas informacioneve të familjarëve dhe strukturave vendore, mendohet të ketë qenë personi”, u shpreh Gurra.


