Arrestohen dy vëllezër në Shkodër, sekuestrohen 77 kg kanabis dhe armë, në kërkim djali i njërit prej tyre (EMRAT)

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, pas katër muajsh hetime me metoda proaktive kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy vëllezër, ndërsa është shpallur në kërkim djali i njërit prej tyre, 24 vjeç. Të tre dyshohet se janë pjesëtarë të grupit kriminal të goditur disa ditë më parë gjatë operacionit “Polinomi”.
Në pranga kanë rënë shtetasit me Gjovalin Sheja., 49 vjeç, banues në fshatin Abat dhe Kujtim Sheja, 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e djalit të këtij të fundit, Kristjan Sheja 24 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit u zbuluan rreth 66.8 kilogramë të tjera kanabis, të ndara në thasë.
Përveç lëndës narkotike, në banesën e 57-vjeçarit u sekuestruan edhe një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak dhe fishekë për armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, mes tyre dy kamera dhe një monokular.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.


