I bllokuan projektet muzikore/ Reagon ish-shoku i Gjestit: ‘Të gjithë paskemi qenë të padrejtë me ty?’

Konflikti mes këngëtarit Gjesti dhe ish-kompanisë së tij të distribuimit muzikor, Onima, për të drejtat autoriale dhe kontrollin e kanaleve ku publikohej muzika e tij, po merr kthesë të re. Pas akuzave të Gjestit se Onima po e pengon të publikojë projekte të reja dhe po bllokon karrierën, ka ardhur një reagim i fortë nga Alberati, ish-shoku i tij i ngushtë.
Në një postim të gjatë në InstaStory, Alberati e akuzon Gjestin për sjellje të përsëritura të ngjashme edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë, duke përmendur gënjeshtra, mosmirënjohje dhe dëmtim të njerëzve që e kanë ndihmuar.
“Ti e paraqet veten sikur të gjithë të kemi bërë padrejtësi, por e vërteta është se njerëzit kanë qenë përkrah teje dhe të kanë ndihmuar,” shkruan ai, duke i bërë thirrje të kërkojë falje, veçanërisht atyre që janë detyruar të ndërmarrin veprime të gabuara nën presion.

Alberati shton gjithashtu: “Ti ke për t’u bërë prind. Ke për të vazhduar jetën edhe pa muzikë. Mendo edhe për të ardhmen e të tjerëve, jo vetëm për veten. Është turp të dëmtohen njerëzit e industrisë që punojnë natë e ditë për t’i mbajtur artistët në skenë.”
Ky reagim i fundit hap një front të ri në konfliktin mes Gjestit dhe Onimës, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me ish-shokët dhe duke e kthyer historinë në një temë të gjerë diskutimi në rrjet.


