Ministrja e Ramës kundër ambientalistëve: Ku ishit deri në 2012? Kush e pengon projektin është anti - shqiptar

Politikë

Ministrja e Ramës kundër ambientalistëve: Ku ishit deri në

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka folur në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv mbi investimin që pritet të realizohet në Zvërnec dhe protestat që e kundërshtojnë këtë iniciativë.

Duke iu drejtuar gjithë organizatave ambientaliste që shqetësohen për fatin e flamingove në Lagunën e Nartës, Ismailaj tha se deri në vitin 2012, zona jo vetëm që nuk kishte flamingo e pelikanë, por nuk kishte as peshk.

Kjo sipas ministres, për shkak të politikave të gabuara të qeverisë së kohës për mjedisin, por edhe për shkak të peshkimit duke përdorur dinamit.
Ismailaj shtoi se u desh 12 vite punë e qeverisë socialiste që biodiversiteti në atë zonë të pasurohej dhe sipas saj, as nuk duhet menduar se investimi që pritet të kryhet në Zvërnec, do të ‘godasë’ florën dhe faunën.

“Ka një lloj demokracia të arritur sot ky vend që shqetëson individë, shtete, interesa, grupe. Kjo është e toleruar deri diku, por nuk do të thotë që duhen toleruar. Më ka bërë përshtypje fakti i ambientalistëve, që vijnë e protestojnë se po i rrezikojmë ne flamingot. Tani unë jam nga Vlora. Në Vlorë deri në vitin 2012 gjuhej peshku me dinamit. Ku ishin këta ambientalistët? Në Vlorë deri në vitin 2012 s’kishte peshk më të mbetur, sepse dinamiti largonte peshqit dhe speciet e tjera, përpos shkatërrimit të gjithë florës e faunës në det. Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, tha mes të tjerash ministrja Ismailaj.

Më pas, duke përmendur origjinën e saj vlonjate, ministrja Ismailaj tha se të pengosh ardhjen e një projekti të tillë (referuar investimit që pritet të realizohet në Zvërnec), duhet të jesh shumë anti-shqiptar. Kjo pasi sipas ministres, ai investim do të sjellë njohje më të gjerë të Shqipërisë në elitën e vendeve turistike dhe do të krijojë mijëra vende pune për popullin Vlonjat.

Teksa tha se ‘e kam jetuar Vlorën nën lëkurë’, ministrja Ismailaj iu drejtua panelistëve të tjerë (Shemsi Prençit dhe Poli Hoxhës) gjatë debatit duke iu thënë ‘ju vini në Vlorë, hani ndonjë peshk të freskët dhe bëni politikë si duhet të jetë Vlora.

“Në Vlorë ka qenë vetëm një boulevard, ai Vlorë-Skelë dhe në 10 të darkës mbylleshim në shtëpi se kishte pasiguri ekstreme. Kur vinte ndonjë turist në Vlorë, na dukej si alien. Të rinjtë në Vlorë punonin vetëm në Call Centera, kamarier dhe fasoneri. Ne jemi një shtet që kemi ikur nga fasoneria, ku të rinjtë paguheshin pak. Mos më tregoni mua, se e kam jetuar në lëkurë Vlorën unë. Ju dhe shokët tuaj vini në Vlorë tani, hani ndonjë peshk të freskët, hani mirë e ikni dhe pastaj bëni politikë si ka qenë dhe si është Vlora. Ka qenë Vlora ku vlonjatët nuk shihnin Karaburunin dhe Sazanin. Të vijë ky projekt në Vlorë, do të thotë që ne të gjithë këtu duhet të jemi shumë antishqiptarë, për të bërë atë që e bëjmë në Turqi, Itali e Greqi”, vijoi më tej ministrja Ismailaj.

Ditën e sotme në Tiranë u mbajt protesta e 5-të që kundërshton ndërtimin e resortit në Zvërnec. Qindra qytetarë marshuan nga Sheshi Skënderbej përpara godinës së Kryeministrisë, me pankarta të shumta në duar, ku kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe tërheqjen e investimit që pritet të realizohet në Zvërnec.

 

ME TE LEXUARAT