Humbi vajzën nga kanceri, aktori Martin Short flet për për makthin: Bëri më të mirën derisa nuk mundi më

Aktori dhe komediani kanadez Martin Short ka folur për herë të parë për humbjen e vajzës së tij, Katherine, duke e cilësuar ngjarjen si një nga periudhat më të vështira të jetës së familjes së tij.
Në një intervistë për CBS, ylli i serialit “Only Murders in the Building” tregoi se vajza e tij, e cila ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 42-vjeçare, kishte luftuar prej kohësh me probleme të shëndetit mendor.
Katherine ishte një nga tre fëmijët që Martin Short kishte birësuar me bashkëshorten e tij, Nancy Dolman, e cila humbi jetën nga kanceri në vitin 2010.
Aktori u shpreh se kjo tragjedi i ka ndryshuar mënyrën si e sheh shëndetin mendor, duke theksuar se ai duhet trajtuar me të njëjtin seriozitet si sëmundjet fizike.
“Shëndeti mendor dhe kanceri janë të dyja sëmundje dhe ndonjëherë ato bëhen fatale,” tha ai.
Mes emocionesh, Short tregoi se vajza e tij vuante nga probleme të rënda psikologjike, përfshirë çrregullimin kufitar të personalitetit.
“Ajo bëri më të mirën që mundi derisa nuk mundi më,” u shpreh aktori.
Pas kësaj humbjeje, ai është angazhuar në nisma për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor dhe luftën kundër stigmës së vetëvrasjes, duke bashkëpunuar me organizatën “Bring Change to Mind”.
Martin Short foli edhe për humbjet e tjera të rënda në jetën e tij, duke treguar se në moshë të re humbi të dy prindërit dhe vëllain e madh në një aksident automobilistik.
Ai tha se këto përvoja e kanë ndihmuar të ndërtojë forcë për të përballuar dhimbjen, ndërsa dokumentari i tij i ri në Netflix, “Marty, Life is Short”, i dedikohet kujtimit të vajzës së tij Katherine.


