VIDEO/ Astronautët e Artemis II eksperiment me një pikë uji në hapësirë, pamjet e NASA-s mahnitin rrjetin

Bota

VIDEO/ Astronautët e Artemis II eksperiment me një pikë uji

NASA ka publikuar pamje të veçanta nga misioni Artemis II, ku astronautët shfaqen duke eksperimentuar me një pikë uji që qëndron pezull brenda kapsulës Orion gjatë udhëtimit rreth Hënës.

Videoja tregon efektet e mikrogravitetit, ku uji merr formën e një sfere perfekte dhe noton në ajër brenda anijes hapësinore. Një nga momentet më interesante është kur astronauti kanadez Jeremy Hansen sheh përmes pikës së ujit dhe imazhi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës.

Më pas, ai e kap sferën e ujit me një pipëz dhe e lëshon sërish të lëvizë lirshëm në kapsulë.

NASA tha se eksperimenti ishte një mënyrë praktike dhe argëtuese për t’i treguar astronautit Hansen, që ishte në fluturimin e tij të parë hapësinor, mënyrën se si sillet uji në mungesë të gravitetit.

Sipas shkencëtarëve, në hapësirë mungesa e gravitetit bën që forcat e tensionit sipërfaqësor të dominojnë, duke bërë që uji të formojë sfera.

Pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar eksperimentin si një moment interesant dhe njerëzor gjatë një misioni historik.

Astronautët e Artemis II janë rikthyer tashmë në Tokë pas një misioni 10-ditor, gjatë të cilit udhëtuan rreth 406 mijë kilometra larg planetit dhe vendosën një rekord të ri distance për një mision me ekuipazh.

 

ME TE LEXUARAT