Dashuria triumfoi mes plumbave në sulmin në Krakov, zjarrfikësi polak mbuloi me trup bashkëshorten

Bota

Dashuria triumfoi mes plumbave në sulmin në Krakov, zjarrfikësi

Vetëm një muaj më parë kishin kurorëzuar dashurinë e tyre, ndërsa sot bashkëshortja qëndron pranë shtratit të tij në terapi intensive. Tomasz, një zjarrfikës vullnetar në Poloni, u plagos rëndë pasi mbuloi me trupin e tij bashkëshorten Kinga, për ta mbrojtur nga plumbat gjatë sulmit me armë që ndodhi në Krakov.

Çifti po udhëtonte drejt repartit zjarrfikës në Olszowice, ku do të zhvillonte një aktivitet me të rinjtë e Brigadës Rinore të Zjarrfikësve. Por rrugëtimi i tyre u kthye në një ngjarje tragjike, pasi automjeti me të cilin po lëviznin u përplas nga makina e burrit të armatosur, i cili po tentonte t'i shpëtonte policisë, raporton Newsmax Poloni.

Në momentin kur nisën të shtënat, Tomasz reagoi menjëherë duke vendosur trupin e tij përpara bashkëshortes. Kinga arriti të shpëtonte, ndërsa ai mbeti i plagosur rëndë.

Lajmin e bënë të ditur pjesëtarët e repartit zjarrfikës vullnetar OSP Olszowice, të cilët përmes një apeli prekës treguan sakrificën e kolegut të tyre. “Një muaj më parë qëndronin para altarit. Sot ajo qëndron pranë shtratit të tij në repartin e terapisë intensive”, shkruajnë zjarrfikësit.

Sipas tyre, aktualisht jeta e Tomasz nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, por ai përballet me një proces të gjatë trajtimi dhe rehabilitimi, ku mes ndërhyrjeve të nevojshme është edhe rindërtimi i strukturave të fytyrës.

cd2d9c5ea0cc0354ba00c38bf373ccad.png

Tomasz është pjesë e zjarrfikësve që prej moshës 12-vjeçare. Gjatë viteve është angazhuar në operacione shpëtimi dhe shuarjeje zjarresh, në aktivitetet e orkestrës së repartit, si dhe në edukimin e brezit të ri të zjarrfikësve.

Tashmë është ai që ka nevojë për ndihmë dhe kolegët e tij kanë hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve, me qëllim përballimin e kostove të trajtimit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe rehabilitimit të specializuar.

“Le të kthehet me forcë të dyfishtë e gjithë e mira që Tomasz u ka dhënë të tjerëve ndër vite”, apeluan zjarrfikësit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion