FOTO/ Nga Florian Binaj te Blendi Salaj, VIP-at që frymëzojnë prej 70 ditësh në protestë! Mesazhi i Dea Vierit

Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e 70, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në bulevard, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe hetimin e tij nga SPAK. Prej 70 ditësh, protestuesit kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar aksionin qytetar, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në dorëheqjen e Edi Ramës.
Ndër sloganet që pritet të dëgjohen janë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Bashkimi bën fuqinë”. Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të aksionit, përfshirë bllokimin e rrugëve, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë. E mes tyre, si çdo natë tashmë ka edhe të famshëm, të famshmë që kanë zgjedhur të reagojnë, kanë zgjedhur të rreshtohen publikisht krah protestuesve.

FLORIAN BINAJ
Duket thuajse e pamundur, që kur bëhet fjalë për një reagim qytetar, Binaj të mos jetë pjesë aktive. Dhe prej më shumë sesa 20 ditësh, Binaj jo vetëm që ka qenë pjesë e marshimit, por ka marrë edhe mikrofonin, duke folur përpara protestuesve. Paparaci ynë e ka fotografuar ku duket se bashku me bashkëshorten e tij, gjithnjë mes protestuesve të tjerë. Jemi të sigurt, që ashtu si qindra mijëra qytetar të tjerë, edhe për aktorin e moderatorin kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, ndaj edhe ai nuk ka sesi të mungojë në shesh. Me një dëshirë për të qenë disi më i tërhequr nga mikrofoni, duket se Flori nuk ka dashur të bëjë protagonistin në këtë protestë.

BLENDI SALAJ
Vështirë të themi nëse Blendi Salaj ka munguar një ditë në këto protesta. Gazetari i mirënjohur ka qenë ndër emrat e parë që e ka mbështetur këtë protestë, madje dhe në studio televizive. E kur kanë kaluar 70 ditë, ai ende nuk ka hequr dorë, por përkundrazi, vijon me të njëjtën këmbngulje. Paparaci ynë ka mundur t’i shkrepë këtë foto, duke sjellë një ndër imazhet e tij të vetme, ku shfaqet në protestë. Kjo për faktin se Blendi nuk është nga ata personazhe që do protagonizmin, të paktën në një protestë të tillë. Ashtu si edhe ai vetë e ka thënë në ditët e para të kësaj proteste, ky është marshimi i njerëzve të lirë. Jemi të sigurt, që edhe në ditët në vijim, figura e tij nuk do të mungojë, duke sjellë një shembull mes VIP-ave.

SONILA MECO DHE REZARTA REIMANN
Gazetarja është padyshim ndër emrat, e cila që në ditët e para të protestës u listua në mbështetje të kësaj kauze. Si një penë e mprehtë, ajo ka reaguar shpeshherë në ekran, por edhe në rrjetet e saj sociale. Megjithatë, angazhimin si qytetare, Sonila e ka vijuar edhe në shesh. Këtë herë nuk ka qenë vetëm. Së bashku me të motrën e saj, Rezarta Reimann ato kanë dalë në protestë. Rezarta është një emër mjaft i njohur edhe në politikën europiane. Motra e gazetares dhe moderatores së njohur shqiptare, Sonila Meço, ka kandiduar si anëtare e Këshillit Bashkiak në Nurnberg të Gjermanisë. Ajo është shqiptarja e parë në Gjermani që ka mbajtur postin e këshilltares bashkiake.

RIZARTA HOXHA
E kemi parë që me politikën nuk është se ka ndonjë marrëdhënie të mirë. Ama, kur vendi ngrihet për një kauzë kaq të rëndësishme, edhe Rizarta Hoxha nuk ka sesi të mos bëhet pjesë. Prej disa kohësh edhe blogerja është parë në shesh, teksa zgjedhë që të protestojë për një vend më të mirë për të jetuar. Si një e re që jeton dhe investon në Shqipëri, ajo nuk ka sesi mos të jetë prezente, dhe ti bashkohet qindra mijërave shqiptarve që çdo ditë janë në shesh. Ndonëse pak ka zgjedhur që të ndajë në llogarinë e saj në Instagram, duket se pasditen tashmë ajo e kalon në shesh, aty ku për më shumë se dy muaj shqiptarët po tregojnë një model të ri qytetërimi.

DEA VIERI
Që në ditët e para të nisjes së protestës, Dea nuk ka munguar në shesh. Herë pas here ajo ka shpërndarë edhe copëza nga kjo protestë në rrjetet sociale, duke spikatur edhe me pankartat që mban. Edhe këtë herë, shoëgirli është parë me një pankartë në duar që lexonte “Metamorfoza nuk është të bëhesh insekt, është kur policia i shërben krimit, jo qytetarëve”. Mesa duket, Dea do të vijojë të jetë pjesë aktive e protestës, derisa kërkesat e tyre të plotësohen. Duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që shohim Dea kaq aktive apo me pankarta në duar. Mesa duket edhe blogerja është ndër emrat që prej ditësh nuk heq dorë nga kjo kauzë dhe përpiqet të sjellë dhe pankarta ironizuese herë pas here./PANORAMA


