Shkëputen pllakat nga katet e larta, çfarë po ndodh me pallatin në Durrës?

Një incident është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Lagjen nr. 1 në Durrës, ku disa pllaka dekorative janë shkëputur nga fasada e një pallati, duke rënë nga katet e larta të objektit.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve, pasi shkëputja e materialeve nga fasada përbën rrezik për personat që kalojnë pranë godinës.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në njerëz. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë nisur monitorimin e situatës dhe kontrollin e pjesëve të tjera të fasadës.
Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e shkëputjes së pllakave të tjera dekorative, pasi një pjesë e tyre vijojnë të jenë të vendosura në lartësi dhe mund të paraqesin rrezik në rast se nuk ndërhyhet në kohë.
Administratori i pallatit, Flamur Balaj, thotë se situata kërkon një ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa kërkon mbështetjen financiare të Bashkisë së Durrësit për të realizuar riparimin e fasadës.
Sipas tij, nevojitet një fond financiar që do të mundësonte ndërhyrjen në pjesët e dëmtuara të objektit, si dhe eliminimin e rrezikut që mund të vijë nga shkëputja e materialeve të tjera dekorative.
Ndërkohë, monitorimi i pallatit vijon nga shërbimet zjarrfikëse, me qëllim vlerësimin e gjendjes së fasadës dhe parandalimin e incidenteve të tjera.
Banorët dhe administratori presin një reagim për ndërhyrjen në objekt, në mënyrë që të garantohet siguria e personave që jetojnë në pallat dhe e qytetarëve që lëvizin në këtë zonë.


