Shënjestrohet lideri i Hamasit, vijojnë sulmet izraelite në Gaza, humbin jetën pesë persona

Bota

Shënjestrohet lideri i Hamasit, vijojnë sulmet izraelite në Gaza,
Pesë persona, përfshirë katër gra, humbën jetën në një sulm izraelit ndaj një ndërtese banimi në Qytetin e Gazës, raportuan mediat palestineze.

Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) konfirmuan se kishin kryer sulmin, duke specifikuar se objektivi ishte një figurë e lartë e Hamasit në Rripin e Gazës.

Në mënyrë specifike, IDF tha se objektivi i operacionit ishte Ali al-Amoudi, të cilin e përshkruan si “krahun e djathtë” të Yahya Sinwar, udhëheqësit të Hamasit në Gaza, i cili u vra nga ushtarët izraelitë në tetor 2024. Aktualisht, autoritetet izraelite nuk kanë verifikuar nëse Ali al-Amoudi është vrarë apo plagosur.

Një zëdhënës i IDF tha se Ali al-Amoudi ishte i përfshirë në planifikimin e sulmit të nisur nga Hamasi më 7 tetor 2023, ndaj Izraelit. Ai tha se sulmi u urdhërua pasi u pa në një ndërtesë banimi, duke pretenduar se u provua edhe një herë se Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore.

“Ali al-Amoudi është zyrtari më i lartë i Hamasit në Rripin e Gazës dhe është i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitete terroriste, si dhe në përpjekjet për rindërtimin e organizatës. Ai u vu në shënjestër me qëllim eliminimin e kërcënimit”, thuhej në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Pesë persona u gjetën të vdekur në ndërtesën që u godit në lagjen Rimal, në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Një zëdhënës i spitalit Al Shifa i tha AFP-së se ishin konfirmuar 5 viktima, 4 gra dhe një burrë.

Ndërtesa u godit nga dy raketa, duke shkaktuar një zjarr, tha Mahmoud Bassal, një zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza.

 

ME TE LEXUARAT