Rubio në Greqi më 6 tetor/ Në fokus siguria, energjia dhe zhvillimet në Mesdheun Lindor

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Greqinë më 6 dhe 7 tetor, në vizitën e tij të parë në vend që prej marrjes së detyrës. Gjatë qëndrimit në Athinë, Rubio do të drejtojë delegacionin amerikan në raundin e gjashtë të Dialogut Strategjik SHBA-Greqi.
Në qendër të bisedimeve pritet të jenë bashkëpunimi në mbrojtje, siguria rajonale dhe energjia. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të Greqisë si nyje energjetike për Europën Juglindore dhe furnizimit me gaz natyror të lëngshëm amerikan.
Vizita zhvillohet në një moment delikat për ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, e cila është përfshirë në polemika pas raportimeve të “Wall Street Journal” lidhur me angazhimin e saj në promovimin e marrëveshjeve energjetike dhe marrëdhëniet me një lobist që përfaqëson kompaninë greke Aktor.
Rubio ka shprehur publikisht mbështetjen për Guilfoyle, duke vlerësuar rolin e saj në avancimin e interesave amerikane në Greqi dhe Europën Juglindore, veçanërisht në kuadër të Korridorit Vertikal të Energjisë.
Në agjendën e vizitës pritet të përfshihen edhe zhvillimet në Mesdheun Lindor, bashkëpunimi ushtarak, lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme. Sipas mediave greke, diskutime mund të zhvillohen edhe për çështje që lidhen me zgjerimin e mundshëm të ujërave territoriale të Greqisë në jug të Kretës dhe projektin energjetik “Great Sea Interconnector” mes Greqisë dhe Qipros.
Gjatë qëndrimit në Athinë, Rubio pritet të takohet me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.


