Protesta kombëtare në Tiranë, qytetarët ndezin flakadanët dhe nisin marshimin nga sheshi

Që prej orës 10:00 ka nisur grumbullimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku qytetarë të shumtë janë bashkuar në kuadër të protestës kombëtare të opozitës, të zhvilluar më 28 Nëntor.
Prej më shumë se dy orësh, mbështetës të opozitës dhe qytetarë nga zona të ndryshme janë mbledhur në shesh, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe të ndryshme. Në orët e para të tubimit, situata është paraqitur e qetë dhe nuk janë raportuar incidente mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Ndërkohë, pas grumbullimit në shesh, atmosfera ka nisur të ndryshojë. Protestuesit kanë ndezur flakadanë dhe kanë nisur marshimin, ndërsa drejtimi dhe pika ku do të ndalet turma ende nuk janë bërë të ditura.
Në terren vihet re një pjesëmarrje e konsiderueshme qytetarësh, ndërsa prania e forcave të policisë është shtuar për të monitoruar zhvillimet dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimit.
Protesta është paralajmëruar si një tubim kombëtar, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë. Pritet që protestës t'i bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës për të qenë pjesë e tubimit.
Zhvillimet në sheshin “Skënderbej” pritet të vijojnë gjatë orëve në vazhdim, ndërsa mbetet për t'u parë se ku do të drejtohet marshimi dhe nëse protesta do të vijojë pa incidente.


