“Policia e Tiranës do të pajiset me kamera trupi”, Demo : të miturit u përdorën në vijën e parë! 269 të shoqëruar nën 18 vjeç

Ministri i Brendshëm Ervin Demo njoftoi sot se efektivët e policisë do të pajisen me kamera trupi, për të dokumentuar gjithçka ndodh, por edhe për të monitoruar sjelljen e tyre.
Në një konferencë për mediat pasditen e sotme së bashku me kryepolicin Skënder Hita, ai deklaroi se falë teknologjisë janë identifikuar edhe personat e maskuar të cilët kanë kryer akte dhune në protestë.
Kamerat e trupit do i vendosim në funksion në Policinë e Shtetit dhe konkretisht në Drejtorinë e Policisë Tiranës, për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore. Do të pajisen dhe me radio të reja dhe mjete të reja digjitale.
Lidhur me të dëmtuarit gjatë protestave të javëve të fundit, Demo foli për 347 të tillë dhe prej tyre 107 protestues.
Nga 347 të lënduar, rreth 200 prej tyre, janë punonjës të Policisë së Shtetit. Janë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime të ndryshme, disa prej tyre edhe të rënda, por që fatmirësisht sot janë jashtë rrezikut për jetën.
Ka 107 protestues të lënduar dhe rreth 39 kalimtarë, të cilët po ashtu janë lënduar gjatë protestave. Këtu përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm gazetarësh, të cilët janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës.
Ai ngriti shqetësim për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke përmendur 269 persona nën 18 vjeç të shoqëruar në polici.
Nga ana e tij Hita deklaroi se u dëmtuan 201 efektivë policie, ndërkohë që bëri thirrje ndaj prindërve që të mos lejojnë fëmijët e mitur që të bëhen pjesë e akteve të dhunës.


