Paketa kundër protestës/ Ndryshimet në Kodin Penal dhe ndëshkimet që shtohen

Aktualitet

Paketa kundër protestës/ Ndryshimet në Kodin Penal dhe

Emisioni “FactCheck” në MCN TV sjell një përmbledhje për paketën e re të masave të propozuara nga qeveria për dhunën në protesta dhe veprat penale në hapësirën digjitale.

Paketa përfshin ndryshime në Kodin Penal dhe ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për persona të lidhur me vepra kundër rendit dhe sigurisë publike, si dhe masa për dëmshpërblimin e bizneseve dhe përgjegjësinë profesionale të mësuesve.

Një nga propozimet kryesore lidhet me personat që qëndrojnë në një tubim pasi policia i ka paralajmëruar për dhunë ose dëmtim të pronës. Për këtë sjellje parashikohet gjobë deri në 500 mijë lekë të reja, ndërsa në rrethana të caktuara mund të ketë edhe dënim deri në dy vjet burg.

Për të miturit mbi 14 vjeç, përgjegjësia financiare mund t'u kalojë prindërve ose kujdestarëve, sipas kushteve që do të përcaktojë ligji.

Propozohen gjithashtu gjoba për pjesëmarrjen në tubime pa leje, mosbindjen ndaj urdhrave të policisë dhe bllokimin e qarkullimit. Fshehja e fytyrës gjatë tubimeve me dhunë ose rrezik konkret dhune mund të dënohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Megjithatë, prania në një protestë nuk është e barabartë me kryerjen e dhunës. Zbatimi i këtyre masave do të varet nga formulimi ligjor dhe mënyra si provohet përgjegjësia individuale.

Për shkatërrimin e pronës dhe dhunën ndaj policëve, veprat penale ekzistojnë edhe në legjislacionin aktual. Ndryshimet synojnë ashpërsimin e dënimeve, deri në dyfishim për kategori të caktuara dëmesh, si dhe rritjen deri në një të tretën të dënimit kur dhuna kryhet me fytyrë të mbuluar.

Paketa përfshin edhe sjellje në internet. Qeveria propozon ndëshkimin e thirrjeve publike për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim, kur ato krijojnë rrezik real për kryerjen e akteve të dhunshme.

Parashikohet gjithashtu zgjerimi i mbrojtjes ndaj kanosjeve dhe përndjekjes online, si dhe ndëshkimi i publikimit të adresave apo të dhënave personale me qëllim ekspozimin e dikujt ndaj sulmeve. 

Një tjetër propozim lidhet me materialet “deepfake”, të krijuara ose manipuluara me inteligjencë artificiale. Shpërndarja pa pëlqim mund të kriminalizohet kur materiali mashtron publikun dhe i shkakton dëm personit të paraqitur. Sipas prezantimit të qeverisë, satira dhe parodia e identifikuar si e tillë nuk synohen të ndëshkohen.

Masat e tjera përfshijnë krijimin e një regjistri elektronik nga Policia e Shtetit për persona të lidhur me vepra kundër rendit dhe sigurisë publike. Propozimi ngre pikëpyetje për prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kufizimin e lëvizjes, pasi të qenët nën hetim nuk do të thotë se një person është shpallur fajtor.

Qeveria propozon edhe masa disiplinore për mësuesit që përdorin autoritetin e tyre për të nxitur pjesëmarrjen e të miturve në tubime, si dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë trazirave.

Ndërkohë, këto masa duhen dalluar nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të prezantuara më 30 shtator 2026. Ato synojnë përdorimin e paraburgimit si masë të fundit, shqyrtimin periodik të nevojës për të dhe vlerësimin e alternativave, si arresti në shtëpi.

Kjo nuk do të thotë se personi përjashtohet nga një dënim me burg pas gjykimit. Bëhet fjalë për masën e sigurisë gjatë procesit penal.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion