Pranga në Rinas për dy persona të kërkuar, kush është 31-vjeçari turk që pritet të ekstradohet?

Dy persona janë arrestuar këtë të mërkurë në Rinas, pasi akuzohen për dy vepra të ndryshme penale, njëri për vjedhje dhe tjetri për mashtrim.
I arrestuari i parë është shtetasi turk Enes Uguz, 31 vjeç, i cili u ndalua me qëllim ekstradimin drejt Turqisë, pasi akuzohet nga autoritetet turke për mashtrim.
Ndërkohë, i arrestuari i dytë është Edison Vukaj, 27 vjeç i shpallur në kërkim pasi është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë bërë të mundur kapjen në dalje të RSh-së dhe arrestimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. U., 31 vjeç, banues në Turqi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, Turqi, pasi Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 e Gebzes, Turqi, më datë 31.07.2026, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Mashtrimi i kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare nga një tregtar, nga një drejtor i një shoqërie tregtare ose nga një person që vepron në emër të një shoqërie, ose nga një drejtues i një kooperative në kuadër të veprimtarisë së koperativës”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po kryen procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Turqi.
-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kapën në hyrje të RSh-së, shtetasin në kërkim E. V., 27 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 03.06.2025, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.


