Sjellja e Ervin Salianjit “shembull” në burg! Prokurori bie dakord, Shërbimi i Provës raport pozitiv për ish-deputetin

Këtë të martë në gjykatën e Fierit është duke u zhvilluar seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili ka kërkuar lirimim me kusht, pasi ka ezauruar 2/3 e dënimit.
Burime për mediat bëjnë me dije se teksa trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin, ndërkohë Prokurori Genci Mane dhe Shërbimi i Provës kanë paraqitur një raport pozitiv për ish-deputetin e Partisë Demokratike.
Paraditen e kësaj të marte, Salianji u paraqit në Gjykatën e Fierit. Në momentin kur doli nga furgoni i Policisë për t’iu drejtuar Gjykatës ai u shoqërua nga disa policë teksa në duar mbante pranga.
Kujtojmë se ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kërkuar që të dalë nga qelia, tre muaj përpara afatit. Qysh prej fillimit ai e ka cilësuar burgosjen e tij si “politike”, ndërkohë që paraqiti kërkesën e tij para togave të zeza që të mos e “zërë vjeshta” në qeli.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike u arrestua në Shtator 2024 dhe tashmë janë bërë 9 muaj prapa hekurave, ndaj kërkon që dënimi i tij 1 vjeçar me burg të përfundojë para kohe dhe ai të qëndrojë 3 muajt e mbetur në provë.
Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej 27 shtatorit i shpallur fajtor për “kallëzim të rremë” në lidhje me dosjen “Babale”. Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji për dosjen "Babale" dhe vendimi është apeluar prej tij në Apel.
Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.
Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar. Deputeti Ervin Salianji u dënua me një vit burg për "kallëzim të rremë". Tashmë Salianji ndodhet në burgun e Fierit.


