Krijimi i Kuvendit Kombëtar, debate mes organizatorëve dhe mbështetësve të protestës: Informohuni para se të pyesni
Nisma për krijimin e “Kuvendit Kombëtar Qytetar” të protestës ka hyrë në një fazë debati të brendshëm mes organizatorëve dhe mbështetësve.
Sipas njoftimeve publike, grupi i punës ka miratuar platformën dhe kriteret e anëtarësimit pas një mbledhjeje disaorëshe, ku u pretendua se vendimet u morën me konsensus. Megjithatë, komunikimet e brendshme në një grup me qindra pjesëmarrës në WhatsApp tregojnë një klimë të tensionuar, me pikëpyetje mbi legjitimitetin e strukturës nismëtare.
Disa prej pjesëmarrësve kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si është formuar grupi organizues, duke kërkuar sqarime mbi përzgjedhjen e tij dhe transparencën e procesit.
Në diskutime janë shfaqur pyetje si kush e ka zgjedhur grupin e punës dhe mbi çfarë kriteresh po pretendohet përfaqësimi i protestuesve.
Nga ana tjetër, mbështetës kanë sqaruar se grupi i punës ka vetëm rol përgatitor dhe se Kuvendi ende nuk është formalizuar, duke theksuar se pjesëmarrja ka qenë e hapur për të gjithë të interesuarit.
Megjithatë, debati ka vijuar me tone të forta, ku disa pjesëmarrës kërkojnë fokus te objektivi i protestës, ndërsa të tjerë insistojnë se krijimi i çdo strukture përfaqësuese duhet të shoqërohet me transparencë të plotë dhe rregulla të qarta.
Në diskutimet e brendshme është përmendur edhe aktivisti Edviol Kulluri si një nga nismëtarët e idesë, emër i cili ka qenë më herët pjesë e polemikave publike lidhur me protestën, për shkak të deklaratave dhe pretendimeve të bëra në drejtim të tij nga aktorë politikë. /tch