Një muaj protestë,Rama: “Shqetësimi real i qytetarëve është ‘uji i pastër’,ndërsa korja e zezë ka mbledhur gjithë dështakët

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij ditën e sotme në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama u shpreh se ajo që Qeverisë i intereson nga protesta është shqetësimi real i qytetarëve, që Rama e quajti ‘uji i pastër’ i protestës, ndërsa shtoi se nën koren e zezë të tubimit janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë.
“Përtej shakasë, ajo që vlen të theksohet është se transformimi i administratës është një proces jashtëzakonisht kompleks, i vështirë dhe i cili kërkon diçka që bota sot, dhe për më tepër Shqipëria sot, e kanë gjithmonë e më pak: kërkon kohë.
Kërkon kohë, sepse bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me shumë njerëz. Besoj që, po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtojmë se ligji i parë themelor i administratës sonë publike është miratuar afro një dekadë më parë, atëherë mund të kuptojmë se çfarë transformimi ka ndodhur me shërbimin civil.
Është e rëndësishme të bëjmë dallimin se, kur flasim për administratën, kemi parasysh shërbimin civil. Nuk është i njëjti nivel dhe kjo është diçka që nuk e kemi vetëm ne. Në administratën publike, ku gjendet edhe gjithë ai burim njerëzor që na ka mundësuar ecurinë shembullore në procesin e negociatave, ne kemi sot një cilësi të re në administratën shtetërore. Megjithatë, përballë qytetarëve mbetet një sfidë e madhe, sepse ata kanë të gjithë të drejtën e tyre që të trajtohen shumë më mirë në shumë raste.
Duke qenë se jemi në një moment specifik intensiv të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni të sjell një episod nga shumë episode që ne po mbledhim për të lexuar protestën e bulevardit në atë pjesë të saj që ka rëndësinë e vet themelore për ne, që është zëri dhe shqetësimet reale, ajo që unë e quaj uji i pastër i protestës nën atë koren e zezë të asaj që, për fat të keq, është pjesa e dukshme dhe e zhurmshme, ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë.
Në atë rrjedhë të madhe, episodi është ky: nëna e një shoku tim kishte dalë në protestë dhe i biri më tregon që ishte alarmuar kur i kishin thënë se ajo kishte shkuar në protestë. Ishte në një moshë të caktuar dhe gjëja e parë që të shkon mendja në një turmë është dëmtimi fizik, nëse pengohet.
Ai ishte kthyer në shtëpi i alarmuar dhe e pyet të ëmën: “Çfarë bëre ti në protestë?”. E ëma i tregon atë që, besoj unë, është thelbi i zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye të natyrës shëndetësore, asaj i duhej të shkonte në poliklinikë. Duke qenë se ka edhe të tjerë që e dinë praktikën që ndjek mjeku që duhet të kujdeset për ta, njerëzit shkojnë atje që në orën pesë ose gjashtë të mëngjesit, sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që, duke qenë të parët në radhë, të kenë mundësinë që ai t’i shohë.
Mjeku nuk vjen gjithmonë në orar. Njerëzit e moshuar presin. E dyta, mjeku nuk rri deri në fund të orarit, por pasi trajton tre ose katër veta, ikën. Kjo grua në moshë, një gjyshe, del në protestë sepse është e fyer. Fyerja është fjalë e lehtë, në fakt, sepse fyerja është një herë, por ky është një poshtërim. Ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që mjafton të bësh një përpjekje shumë të vogël për ta vënë veten në atë pozitë, për të kuptuar se është kulmi.
Njerëzit nuk ndjehen të fyer dhe të poshtëruar thjesht sepse nuk e zgjidhin dot një hall, sepse jo çdo hall është i zgjidhshëm në rrugë administrative. Shumë probleme kërkojnë zgjidhje gjyqësore, sepse administrata nuk bëhet dot gjykatë. Nëse qeveria apo kryeministri do të bëhej gjykatës, do të bënte pesë të mira dhe pesë mijë të këqija. Për këtë arsye janë të ndara gjërat.
Përtej faktit që e zgjidh apo jo, ai mjeku nuk është i detyruar me ligj, as me zakon, që të shërojë një sëmundje të pashërueshme. Por ai mjek është i detyruar që njeriut të sëmurë t’i ofrojë të gjithë komfortin që vjen nga njerëzillëku. Mungesa e njerëzillëkut është një mungesë të cilën njerëzit nuk janë të gatshëm ta tolerojnë”, u shpreh Rama.


