Rama nxjerr pamjet e shembjes së ndërtimeve në Valbonë: Aksioni do vijojë, mos harxhoni paratë....

Kryeministri Edi Rama ka publikuar videon për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa paralajmëron qytetarët se veprimet e paligjshme në hapësirat publike, bregdet apo zona malore nuk do të tolerohen më.

“U them të gjithë atyre që e vazhdojnë këtë ‘sport’ të ulët, ndaluni”, shkruan kreu i qeverisë, duke theksuar se vijimi i ndërtimeve pa leje është i kotë dhe vetëm do të sjellë humbje kohe dhe parash.
Ky operacion është shtrirë edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës, një nga zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri.
Më 9 shtator, kryeministri prezantoi paketën e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe të territorit. Paralajmërime të forta pati edhe për zjarrvënësit që sipas tij do të trajtohen si vrasës.
Masa të rënda do të ketë edhe për ata që shesin apartamentet më shumë se një herë.
Vepër penale do të konsiderohet edhe mosnjoftimi i arkitektëve tek organet përkatëse.
Në rast shkeljeje inspektorët në territor do të dënohen drejtpërdrejt. Penalizim do të ketë edhe për punonjësit e shtetit që shfrytëzojnë një ndërtim pa leje me qëllim fitimin.
Rama ka theksuar se paketa është punuar nga një grup ekspertësh.


