Rama nuk i kishte numrat për shkarkimin e Veliajt, vota e opozitës rezultoi vendimtare

Politikë

Rama nuk i kishte numrat për shkarkimin e Veliajt, vota e opozitës

Është zbardhur numri i saktë i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës që votuan pro kërkesës së socialistëve për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt.

Pavarësisht konesusit të gjerë opozitë-mazhorancë, vetëm 50 këshilltarë kanë votuar pro shkarkimit, nga 61 këshilltarë gjithsej që ka Këshilli Bashkiak.

Nga kjo rezulton se pavarësisht urdhrit të Edi Ramës për shkarkimin e Veliajt, jo të gjithë i janë bindur dhe disa kanë ruajtur respektin për shkak të miqësisë që kanë patur me ish-kryebashkiakun.

Më konkretisht, zyrtarisht mësohet se në votim nuk kanë marrë pjesë: Joleza Koka, Eriona Bixho, Gazmend Paja, Eris Bejleri, Ervin Dushku, Aldo Merkoçi, Alfred Muharremi, Alba Kepi dhe Fabian Topollaj. Disa prej tyre nuk ishin fare në mbledhje, ndërsa disa të tjerë nuk morën pjesë në votim.

Po ashtu, nuk janë plotësuar ende vakancat as për Romina Kukon dhe Tedi Blushin, të cilët morën mandatin e deputetit dhe janë futur në Kuvend.

Pra, pjesa më e madhe nga emrat e mësipërm i përkasin mazhorancën dhe nga kjo rezulton se vota e opozitës ka qenë vendimtare për të përcaktuar “fatet” e Veliajt.

Me bashkimin dhe të Endrit Brahimllarit, Partia Socialiste ka 35 vota në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe mjaftonin vetëm 5 prej tyre që të mos plotësonin shumicën prej 31 votash dhe Erion Veliaj do të ishte ende në detyrë.

Këshilltari i PS-së, Endrit Braimllari propozoi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që të bashkohen në një të vetme, të tre kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt, ajo e PS-së, PD-së dhe Endri Shabanit, kërkesë e cila u miratua. Kjo për shkak se më herët socialistët nuk kishin marrë fare në shqyrtim kërkesat e opozitës për shkarkimin e Veliajt.

Në vendimmarrje, Këshilli Bashkiak iu referua pikës c të nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Pas votimit të sotëm, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.

Gjithsesi, Erion Veliaj ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.

Në rast se ankimimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.

Këshilltarët që nuk votuan 

Joleza Koka
Eriona Bixho
Gazmend Paja
Eris Bejleri
Ervin Dushku
Alba Kepi
Aldo Merkoçi
Alfred Muharremi
Fabjan Topollaj
Romina Kuko
Tedi Blushi

ME TE LEXUARAT