“Njerëzit po kalojnë nga mjekët te fallxhoret”, Rama jep porosi: Mos lejoni ‘zgjidhjet magjike’ të fitojnë terren

Politikë

“Njerëzit po kalojnë nga mjekët te fallxhoret”, Rama

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Shqipëria nuk duhet të bjerë pre e ideve për “zgjidhje magjike”, duke u shprehur se kjo mund të rrezikojë gjithçka që është ndërtuar deri më tani.

Gjatë fjalës së tij në eventin “Rilindja 2.0”, Rama përdori një krahasim me mjekët popullorë dhe fallxhorët, duke theksuar se pakënaqësitë e qytetarëve duhet të shërbejnë si nxitje për reflektim dhe përmirësim.

“Vjen një moment kur njerëzit besojnë te mjekët popullorë, pastaj kalojnë te fallxhorët. Ne s’duhet ta lejojmë këtë. Pse i lind nevoja për fallxhorë njerëzve? Shkaku jemi ne. Ta keni shumë të qartë”, tha Rama, duke iu drejtuar kryetarëve të bashkive.

Sipas tij, përgjegjësia nuk duhet kërkuar te të tjerët, por te mënyra se si institucionet përballen me pritshmëritë e qytetarëve.

“Fallxhorët ia fusin kot, njerëzit nuk ia fusin kot. Po ngelëm në dorë të fallxhorëve, do të jetë shumë vonë. Pastaj do të kthehen te mjeku, por s’ka çfarë t’u bëjë, do t’u presë këmbën”, u shpreh kryeministri.

Rama u ndal edhe te procesi i integrimit në BE, ku u shpreh se nuk duhet të shihet si një çështje e shkëputur nga jeta e përditshme e qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij në eventin “Rilindja 2.0”, Rama tha se është detyrë e përbashkët që përfitimet e këtij procesi të bëhen të prekshme për qytetarët, duke theksuar se integrimi europian do të ndikojë në rritjen ekonomike dhe në të ardhmen e brezit të ri.

“Dua që së bashku të biem dakord në një pikë: që nuk mund të lejojmë që çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në BE të banalizohet dhe njerëzit ta ndjejnë këtë si një çështje që nuk lidhet me jetën e tyre të përditshme. Është tërësisht e pavërtetë. Bërja e prekshme e përfitimeve të këtij procesi është një detyrë e përbashkët e të gjithëve ne. Me këtë proces do të rritet ekonomia e atyre që sot janë të rinj.

Për ata që janë gjeneratat më të vjetra, kjo që thashë është relative; për gjeneratën e re kjo është absolute. Shqipëria e pas 10 vjetëve nga anëtarësimi do të jetë Europa e të rinjve. Nuk mund ta vëmë në rrezik këtë proces me narrativa absurde të propagandës. Duhet shpjeguar që Europa është standardi që kërkohet. Pritshmëritë e rritura janë ekzaktësisht ajo që e lidh Europën dhe Shqipërinë anëtare në BE.

Rilindja 2.0 nuk është thjesht të ndërtojmë infrastrukturë, por cilësi, cilësi jete dhe bashkëjetesë. Është të ndërtojmë komunitetin. Jo të ndërtojmë rrugë, por të ndërtojmë lidhje dhe mobilitet të brendshëm; jo vetëm parqe dhe sheshe, por marrëdhënie; jo thjesht ekonomi, por mirëqenie. Ekonomia jonë nuk ka qenë asnjëherë më mirë. Por raporti i kësaj ekonomie me shifra me ekonominë e perceptuar të njerëzve, atëherë ne kemi problem.”, tha nder te tjera kryeministri.

ME TE LEXUARAT