Kërkoi interpelancë me Ramën, Tritan Shehu: Zoti kryeministër ndodhet në arrati

Deputeti demokratTritan Shehu kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama, edhe pse ky i fundit nuk ishte i pranishëm në Kuvend.
Interpelanca ishte në lidhje me njohjen dhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë gjatë luftës.
Kryeministri nuk ishte pjesë e seancës së sotme në Kuvend pas pjesëmarrjes në Malin e Zi në samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe interpelanca i është deleguar ministres Elisa Spiropali.
Ndërkohë, Shehu ka deklaruar se një hap i tillë nuk parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, por ka pranuar ta bëjë interpelancën.
“Në rregullore nuk shkruhet se delegohet interpelanca. Kryeministri nuk do të japë përgjigje për çështjen, të mos ballafaqohet. Unë kam qenë dakord edhe të shtyhet pak nëse e ka të pamundur të jetë tani”, tha ai.
Më tej, Shehu evidentoi edhe situatën në rajon dhe jo vetëm me rivitalizimin e metodave ultranacionaliste.
“Zoti kryeministër është në arrati. Është e kotë të bluajmë teatër. Më duket e rëndësishme, po tentohet në rajon të rivitalizohen metodat ultranacionaliste. Sot jemi në periudhën e rizgjimit të tyre jo vetëm në rajon.
Dua të përmend Rusinë me agresionin e saj dhe jo vetëm. Mbështesni ju rezolutën e Kosovës. A mendoni se duhet të sensibilizohemi me këtë ngjarje? A jeni gati të asistoni Kosovën si qeveri në përpunimin e materialit dhe dërgimin e tyre në organizma ndërkombëtare? Apo me pasivitetin tuaj doni të kontribuoni në varrosjen e së vërtetës?”, tha ai.
Nga interpelanca me Ramën te pyetjet ndaj Manastirliut, sot Kuvend, çfarë pritet të ndodhë

Ditën e sotme mbahet seanca e radhës plenare në Kuvend, ku ndër të tjera është edhe interpelanca që deputeti i PD, Tritan Shehu ka kërkuar me kryeministrin Edi Rama.
Në rendin e ditës janë parashikuar të diskutohen 11 pika, duke filluar nga interpelanca me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ku në total Shehu ka parashtruar 19 pyetje për këtë temë. Ndërkohë Rama nuk do të jetë në Kuvend, teksa nuk duhet nëse ai e ka deleguar interpelancën te një përfaqësues tjetër i PS.
Pas interpelancës, do të jetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu që do t’i përgjigjet pyetjeve të parashtruara nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.
Më tej, sipas rendit të ditës, Kuvendi do të diskutojë një seri marrëveshjesh, duke nisur nga ajo e Interpol, e cila vjen në kuadër të Konferencës së 51-të të Interpol, që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Tiranë.
Po ashtu, pritet të diskutohet dhe marrëveshja e pensioneve me Italinë dhe një marrëveshje në fushën e arsimit.
Gjithashtu, gjatë seancës së sotme në Parlament pritet të diskutohet dhe një akt normativ, si dhe dy pr/ligje.


