Vrasja e 25-vjeçarit shqiptar në Itali, autopsia zbulon detaje tronditëse. Prokuroria zbardh shkaqet e ekzekutimit dhe autorët

Aktualitet

Vrasja e 25-vjeçarit shqiptar në Itali, autopsia zbulon detaje

Janë zbardhur rezultatet e autopsisë për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua natën e 14 shkurtit në Montecalvoli, në komunën Santa Maria a Monte të Italisë.

Sipas raportit të mjekut ligjor Marco Di Paolo, vetëm një nga plumbat e qëlluar me një pistoletë gjysmëautomatike Beretta kalibër 6.35 rezultoi fatal. Plumbi goditi Muharremin në anën e djathtë të qafës, duke shkaktuar dëmtime shumë të rënda në shtyllën kurrizore në nivelin e vertebrave C2 dhe C3. Si pasojë u ndërprenë rrugët nervore, çka solli paralizë të frymëmarrjes dhe hemorragji të brendshme që çuan në vdekjen e menjëhershme të të riut.

Raporti mjeko-ligjor, i depozituar së fundmi, përmban rezultatet e autopsisë së kryer më 13 mars, me urdhër të prokurorit të Pizës, Fabio Pelosi, i cili drejton hetimet për këtë ngjarje.

I dyshuari për vrasjen

Për vrasjen akuzohet 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, banues në Santa Maria a Monte, i cili ndodhet në burg që prej ditës së krimit. Ai u arrestua në Arezzo, ndërsa po largohej me familjen në bordin e një automjeti Range Rover Evoque, i njëjti mjet nga i cili dyshohet se u qëllua drejt Muharremit.

Sipas hetimeve, Xyke nuk e ka mohuar se ka qëlluar në drejtim të viktimës, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të një Fiat Doblò të bardhë, ku më pas u gjet pa shenja jete.

Si ndodhi krimi

Hetuesit besojnë se vrasja ishte kulmi i një konflikti mes dy grupeve shqiptarësh, që kishte nisur disa orë më herët dhe mund të kishte rrënjë edhe më të hershme.

Përplasja e parë ndodhi brenda një lokali në zonën Capanne di Montopoli, ndërsa më pas konflikti vazhdoi në parkingun e lokalit. Pas kësaj, palët dyshohet se komunikuan edhe në telefon, derisa u takuan në një takim që rezultoi fatal në Viale della Repubblica, ku ndodhi ekzekutimi.

Sipas ekspertizës, Kevin Muharremi u godit edhe nga një plumb tjetër që i preku lehtë parakrahun dhe kyçin e dorës së djathtë, por kjo plagë nuk ndikoi në vdekjen e tij.

Në vendngjarje janë qëlluar të paktën gjashtë plumba, siç dëshmojnë edhe vrimat e gjetura në pjesën e përparme të automjetit Fiat Doblò.

Hetimet vazhdojnë

Renato Xyke nuk është i vetmi person nën hetim. Në automjet me të ndodhej edhe një 18-vjeçar shqiptar me banim në Montecalvoli, i cili aktualisht hetohet në gjendje të lirë. Ai është paraqitur vullnetarisht në Prokurori, së bashku me avokatin e tij, për të dhënë versionin e ngjarjes.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit, përpara se çështja të kalojë në seancën paraprake gjyqësore.

ME TE LEXUARAT