Rama në Turqi, pritet me ceremoni zyrtare nga Presidenti Erdogan

Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ditën e sotme po zhvillon një vizitë në Turqi, është pritur me ceremoni zyrtare nga Presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan.
Pas shtrëngimit të duarve, kreu i qeverisë shqiptare së bashku me kreun e shtetit në Turqi nderuan himnin kombëtar shqiptar dhe atë turk.
Më herët, kreu i qeverisë zhvilloi një vizitë në në mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, ku nderoi figurën e reformatorit të madh, lider i Luftës Turke për Pavarësi, si dhe themelues e President i parë i Republikës së Turqisë.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, dy udhëheqësit do të kenë një takim kokë më kokë. Në vizitën njëditore në Ankara, Rama do të jetë i shoqëruar nga shtatë ministra, mes të cilëve i Infrastrukturës, Mbrojtjes, Arsimit dhe Shëndetësisë.
Pak ditë më parë Tirana u vizitua nga ministri i Jashtëm Turk. Në deklaratën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Hakan Fidan, i kërkoi Tiranës zyrtare pastrimin e mbetjeve të fundit të Fetos, organizatë që Erdogan e cilëson terroriste.
Me ftesë të Erdogan në Turqi, Rama mbërrin në Aeroportin e Ankarasë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mbërritur në Turqi, në aeroportin e Ankarasë ku është pritur nga zyrtarët turq.
“Mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të Ankarasë, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për vizitën dypalëshe dhe takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive tona”, shkruan Rama në Facebook.
Kreu i qeverisë ndodhet sot në një vizitë pune në Ankara, Turqi, ku do të mikpritet nga Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan.
Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama do të jetë në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.
Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që do të mbahet në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.
Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes Kryeministri Rama do të adresohet me një fjalë.
Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të komunikojnë për median deklaratën e përbashkët për shtyp.
Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë dhe Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi; Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu; Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu; si dhe Ministrja i Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.


