Kërkoi lirinë, zbardhet dëshmia e Ilir Metës përpara Gjykatës së Posaçme të Apelit

Është zbardhur mbrojtja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në dëshminë e tij, Meta thotë se kallëzuesi i çështjes CEZ-DIA, Romeo Kara dhe dëshmitari kryesor të cilit i referohet SPAK, Elvis Mataj, gënjejnë.
Ilir Meta: Zonja Gjykatëse, jepini fund kësaj sjellje paragjyqësore ndaj ish-Presidentit të Republikës! Kulmi i papërgjegjshmërisë të SPAK-ut dhe sidomos të kallëzuesit tim në SPAK për çështjen CEZ-DIA, të dënuarit nga gjykata për dhunë në familje, Romeo Kara, si edhe dëshmitarit kryesor, që i referohet SPAK, Elvis Mataj, i cili ishte krahu i djathtë i Kastriot Ismailajt në menaxhimin e DIA dhe i denoncuar nga ky në prokurori për vjedhje dhe mashtrim, është pikërisht ky paragraf i shkruar nga vetë SPAK në faqen 34, paragrafi i parë:
“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.
Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen. Por që të jemi seriozë dhe jo si SPAK-u, ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund lidhur me personin tim për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë.
Meta thotë më tej se të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s, dhe sipas tij pasi hynë në konflikte me të për punë parash u përdorën nga Damian Gjiknuri si Ministër i Energjisë, si dëshmitarë në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.
Ilir Meta: Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash u përdorën nga Damian Gjiknuri si Ministër i Energjisë, si dëshmitarë në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit. Me këtë rast Romeo Kara fitoi vendin e punës në shtet në sektorin energjitik ndërsa Elvisit iu pushuan çështjet me drejtësinë dhe jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, e cila ishte e paditur po ashtu për mashtrime dhe kishte interesa direkte me CEZ-in.
Është po ky Romeo Kara që në procesin gjyqësor ku u dënua Kastriot Ismailaj asnjëherë nuk e ka përmendur emrin tim si të lidhur me DIA apo Kastriot Ismailin. Madje në një deklaratë të tij nën betim kur ai kujton se si Kastriot Ismailaj i bëri ofertë të punonte me të te DIA, pyetjes së Romeos se a ishte i lidhur me politikanë, Kastrioti i ishte përgjigjur se jo, ai ishte i lidhur me amerikanët për DIA. Fakti, që ai në këtë biznes ishte i lidhur me amerikanët, është e provuar edhe në deklaratat e Z. Josef Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Sidomos në kapitullin e IV “Shareholders of DIA”. Pra përfshirja e partnerëve të tij amerikanë në këtë biznes, që nga fillimi, është e konfirmuar edhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, krejt ndryshe nga sa përpiqet të manipulojë SPAK, si një biznes i Kastriot Ismailit dhe Arjan Laçit. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish-bashkëshortja e tij Vojsava Ismaili duke përmendur partneren e tij në të gjitha bizneset, amerikanen Rebecca Gaskin.
Meta thotë se Elvis Matajn nuk e ka takuar asnjëherë që nga viti 2015, kur sipas tij të rinjtë e LSI e përjashtuan nga radhët e tyre si mashtrues dhe intimidues femrash.
Ilir Meta: Ndërsa për Elvis Matajn mund të them se nuk e kam takuar asnjëherë që nga viti 2005 kur të rinjtë e LSI e përjashtuan nga radhët e tyre si mashtrues dhe intimidues femrash, gjë që e kam deklaruar edhe në SPAK. Po kështu në përpjekje për të krijuar idenë se Kastriot Ismaili po fitonte një mbështetje të madhe nga Ministri i Energjisë dhe Ekonomisë, Ilir Meta, SPAK bie në kontradiktë me vetveten kur i jep një rol që kurrë Kastriot Ismaili nuk e ka patur si anëtar i Këshillit Mbikqyrës nga METE apo kandidat zëvendësues.
Në faqen 15, SPAK shkruan se më 15 shtator: “sipas procesverbalit të mbledhjes përshkruhet ‘Mbledhja u hap nga z.Hejsek, i cili informoi anëtarët e Këshillit Mbikqyrës (“Anëtarët”) mbi ndryshimin më të fundit të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, kërkoi falje për mosprezencën e z.Ciko në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës dhe prezantoi shkurtimisht z.Kastriot Ismailaj, i cili është kandidati i ministrisë për zëvendësimin e z.Ciko në Këshillin Mbikqyrës”.
Ndërkohë unë kam hyrë në zyrën e Ministrit pas datës 16 shtator kur Kuvendi miratoi dekretin për emërimin. Vetëm pak rrehta më pas vetë SPAK e përgënjeshtron këtë të pavërtetë kur shkruan se: “Në datën 25.11.2010 mbahet mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të OSHE sh.a., ku sipas procesverbalit të mbajtur, rezulton se kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit, anëtarët, ku i pranishëm është edhe Ilir Ciko.” Pra Ilir Ciko as nuk është shkarkuar nga Këshilli Mbikqyrës dhe aq më tepër që nuk mund të zëvendësohej nga një person privat si Kastriot Ismailaj.


