Dita Kombëtare e Rinisë, Presidenti Begaj: Sot festojmë shpirtin rinor të brezave

Politikë

Dita Kombëtare e Rinisë, Presidenti Begaj: Sot festojmë shpirtin

Presidenti Bajram Begaj, në Ditën Kombëtare të Rinisë, përkujtoi lëvizjen studentore antikomuniste të dhjetorit ’90, që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në një mesazh të posaçëm, Presidenti Begaj nderon të gjithë të rinjtë që 34 vjet më parë u ngritën kundër regjimit diktatorial dhe frymëzuan lëvizjen popullore, e cila çoi në rrëzimin e komunizmit.

Presidenti Begaj vlerëson guximin e atij brezi studentësh me vizion Perëndimor, që kërkonin liri e demokraci, ndërsa shprehet se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mesazhi i plotë i Presidenti Begaj:

34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë. 

Lëvizja popullore, që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.

Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë.

Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Nder përjetë!

ME TE LEXUARAT