“Krim mjedisor”, Braçe publikon pamjet: Koshat e plehrave në derë të qendrës shëndetësore në Selitë

Politikë

“Krim mjedisor”, Braçe publikon pamjet: Koshat e plehrave

Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar publikisht një situatë që e ka quajtur “krim mjedisor” në zonën e Selitës, në Tiranë. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ai ka treguar se pranë qendrës shëndetësore të zonës, si dhe pranë postës dhe kopshtit nr. 4, ndodhen koshat e mbeturinave, ku përveç plehrave të zakonshme janë hedhur edhe mbetje inerte nga punime ndërtimi.

“Në këtë qytet, po nuk u çmende, është fat! Papërgjegjshmëri e bashkisë që insiston të mbajë koshat e plehrave në derë të qendrës shëndetësore, postës e kopshtit 4. Papërgjegjshmëri e njerëzve që vijnë e hedhin mbetjet inerte të punimeve në shtëpitë e tyre këtu!” – shprehet Braçe në reagimin e tij.

Ai ka kritikuar institucionet për mungesën e reagimit, duke thënë se “në këtë qytet është e kot të shqetësohesh, angazhohesh e të flasësh, sepse ata që kanë pushtetin për të vendosur koshat, dhe ata që hedhin mbetjet, nuk dëgjojnë”.

Braçe propozon që të shikohen pamjet nga kamerat e sigurisë dhe të gjobiten personat që hedhin mbeturina në vendet e ndaluara, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë për të ndaluar sjellje të tilla të papërgjegjshme.

ME TE LEXUARAT