Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Kukës

Aktualitet

Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Kukës

Në Kukës, këtë të hënë ka filluar aksioni për lirimin e hapësirave publike, me fokus heqjen e strukturave dhe konstruksioneve që bizneset kishin vendosur në trotuare dhe hapësira të përbashkëta, duke penguar kalimin normal të qytetarëve.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë Kukës njoftoi se të gjitha bizneset janë informuar paraprakisht për këtë proces, duke dhënë kohë për të çmontuar vullnetarisht strukturat. Gjatë zbatimit të aksionit është shfaqur mirëkuptim dhe bashkëpunim nga ana e bizneseve, të cilat kanë ndërhyrë vetë për të larguar konstruksionet.

Drejtori i IMT-së, Admir Oruçi, bëri me dije se ndërhyrjet fillestare janë fokusuar në rrugët kryesore të qytetit, ku janë hequr konstruksionet metalike që zinin hapësira në trotuare dhe pengonin lëvizjen e këmbësorëve.

“Qëllimi ynë është që trotuaret dhe hapësirat publike të jenë të aksesueshme për të gjithë qytetarët, pa pengesa,” tha Oruçi.

Ai paralajmëroi se në fazat në vijim, aksioni do të shtrihet edhe në lagjet e qytetit, ku janë evidentuar raste të zënieve të hapësirave publike pa kriter, përmes rrethimeve ose ndërtimit të strukturave të paligjshme.

Ky aksion në Kukës është pjesë e një iniciative kombëtare që po zhvillohet në të gjitha bashkitë e vendit, me synimin për të liruar dhe sistemuar hapësirat publike në dobi të komunitetit dhe përmirësimit të infrastrukturës urbane.

ME TE LEXUARAT