“Pl*mbi i Artë”, jepen 12 dënime nga GJKKO! Shullazi dhe Avdyli nga 10 vite burg (LISTA E TË DËNUARVE)

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për dosjen “Plumbi i Artë”, duke dënuar 12 të pandehur me masa të ndryshme burgimi.
Sipas vendimit, Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli janë dënuar me nga 10 vite burg, ndërsa Gjergji Cukali me 8 vite burgim.
Vendimi është marrë pas hetimeve të SPAK dhe shqyrtimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Lista e dënimeve për 12 të pandehurit:
Astrit Avdyli – 10 vite burg.
Emiljano Shullazi – 10 vite burg.
Gjergji Cukali – 8 vite burg.
Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burg.
Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burg.
Blerim Abazi, alias Blerim Gashi – 6 vite burg.
Robert Laçi – 6 vite burg.
Santilo Basho – 6 vite burg.
Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari – 6 vite e 8 muaj burg.
Naim Stafuka – 5 vite burg.
Xhelal Rraja – 4 vite burg.
Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burg.
Miri Bruli lirohet menjëherë nga paraburgimi
Një nga vendimet e GJKKO-së lidhet me Miri Brulin, për të cilin është urdhëruar lirimi i menjëhershëm.
Edhe pse u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg”, pasi koha që ai ka kaluar në paraburgim është më e gjatë se dënimi i caktuar.
Lirimi i tij do të zbatohet nëse nuk mbahet në arrest apo nuk është i dënuar për ndonjë çështje tjetër penale.
Në vendim, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
Për Emiljano Shullazin, Astrit Avdylin, Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon është caktuar një periudhë sigurie e barabartë me kohëzgjatjen e plotë të dënimit. Kjo do të thotë se ata nuk mund të përfitojnë nga lirimi me kusht gjatë kësaj periudhe.
Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin në favor të shtetit të një pistolete Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e Astrit Avdylit.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të tij.


