Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në kalendarin e festave të New York-ut, 28 Nëntori do të festohet çdo vit

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë do të jetë pjesë e kalendarit zyrtar të datave të njohura nga qyteti i New York-ut. Këshilli Bashkiak ka miratuar një rezolutë që i kushton 28 Nëntorit një përkujtim të përvitshëm në metropolin amerikan, ku jetojnë mbi 100 mijë banorë me origjinë shqiptare.
Vendimi është marrë më 19 nëntor 2026, me nismën e këshilltares Amanda C. Farías. Rezoluta u mbështet edhe nga tre anëtarë të tjerë të Këshillit, Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.
Dokumenti përkujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por njëkohësisht vlerëson edhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën ekonomike dhe kulturore të New York-ut.
Sipas të dhënave të përfshira në rezolutë, më shumë se 100 mijë persona me prejardhje shqiptare jetojnë në pesë njësitë administrative të qytetit. Përqendrimi më i madh i tyre është në Bronx dhe Staten Island.
Në dokument rikujtohet gjithashtu historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe mbështetja amerikane për pavarësinë dhe shtetësinë shqiptare. Me këtë rezolutë, 28 Nëntori merr një njohje institucionale në New York dhe do të përkujtohet çdo vit si një datë e rëndësishme për komunitetin shqiptar që jeton në qytet.


