Zbardhet vendimi i gjykatës për bashkëpunëtorët e Veliajt, çfarë u vendos për ta?

GJKKO zbardh vendimin dhe dënimet për bashkëpunëtorët e Veliajt, të cilët kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar.
Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg, për veprën pastrim i produkteve të veprës penale.
Klotilda Bushka është dënuar me 200 mijë lekë gjobë.
Ina Goxhaj është dënuar me 7 vite burg për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale, dënim i konvertuar në 4 vite e 8 muaj burg, duke qenë bashkëpunëtore është kthyer dënim me kusht.
Kompania Rametal e Elman Abules është dënuar me 120 milionë lekë gjobë.
Frosina Bollo është dënuar për korrupsion aktiv dhe Adela Kondakçiu është dënuar me akuzën pastrim i produkteve të veprës penale.
Ndërkohë është dënuar me 5 vite burg me kusht polici i burgjeve F.B. për futjen e sendeve të ndaluara.
Vendimi i plotë i GJKKO
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Elman Abule, Personi juridik shoqëria Rametal sh.p.k., Fatmir Bektashi, Personi Juridik Shoqëria Kontakt sh.p.k., Ina Goxhaj, Frosina Bollo, OJF Froboulus, Adela Kondakçiu, Klotilda Bushka, Flutur Xhani dhe Fatjon Baçi.
Gjykimi i kësaj ?ështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, me vendimin nr. 75, datë 26.11.2026 vendosi:
Elman Abule
Deklarimin fajtor të të pandehurit Elman Abule për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Elman Abule me 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Elman Abule nis të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Rametal SHPK
Deklarimin fajtor të të pandehurit person juridik shoqëria Rametal sh.p.k. për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite, në raport me nenin 11 të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridike” dënimin e tij me 18.000.000 (tetëmbëdhjetë milion) lekë gjobë.
Në aplikim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri person juridik shoqëria Rametal sh.p.k. me 12.000.000 (dymbëdhjetë milion) lekë gjobë.
Në zbatim të nenit 34 paragrafi i gjashtë i Kodit Penal gjoba të paguhet nga i pandehuri person juridik shoqëria Rametal sh.p.k. brenda një afati prej 6 (gjashtë) muajsh, nga dita që vendimi gjyqësor merr formë të prerë.
Fatmir Bektashi
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fatmir Bektashi për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. Në referim të nenit 389 të Kodit të Procedurës Penale heqjen e masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me vendimet nr. 7/2025 dhe nr. 14/2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kontakt SHPK
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit person juridik shoqëria Kontakt sh.p.k. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Ina Goxhaj
Deklarimin fajtor të të pandehurës Ina Goxhaj për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurës Ina Goxhaj për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve ndaj të pandehurës Ina Goxhaj dhe caktimin e një dënimi të vetëm prej 7 (shtatë) vitesh burgim.
Në zbatim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht e pandehura me 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurës Ina Goxhaj për një periudhë prej 5 (pesë) vitesh.
Në referim të neneve 59 dhe 60 të Kodit Penal, gjatë kohës së provës, e pandehura Ina Goxhaj detyrohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Frosina Bollo
Deklarimin fajtor të të pandehurës Frosina Bollo për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim; Në zbatim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht e pandehura Frosina Bollo me 8 (tetë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurës Frosina Bollo për një periudhë prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh.
Në referim të neneve 59 dhe 60 të Kodit Penal, gjatë kohës së provës, e pandehura Frosina Bollo detyrohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Frobolous
Deklarimin fajtor të të pandehurit person juridik, organizata jofitimprurëse Frobolous për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite në raport me nenin 11 të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” dënimin e tij me 500.000 (pesëqindmijë) lekë gjobë.
Në zbatim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri person juridik, organizata jofitimprurëse Frobolous me 333.000 (treqind e tridhjetë e tre mijë) lekë gjobë.
Në zbatim të nenit 34 paragrafi i gjashtë i Kodit Penal gjoba të paguhet nga i pandehuri person juridik OJF Frobolous brenda një afati prej 6 (gjashtë) muajsh, nga dita që vendimi gjyqësor merr formë të prerë.
Adela Kondakçiu
Deklarimin fajtor të të pandehurës Adela Kondakçiu për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vjet burgim. 8.1 Në zbatim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke dënuar përfundimisht e pandehura Adela Kondakçiu me 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 37/a/4 të Kodit të Procedurës Penale, përjashtimin nga dënimi të të pandehurës.
Klotilda Bushka
Deklarimin fajtor të të pandehurës Klotilda Bushka për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me gjobë në masën 300.000 (treqindmijë) lekë.
Në zbatim të nenit 406 paragrafi parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me gjobë me një të tretën e tij, duke dënuar të pandehurën Klotilda Bushka me 200.000 (dyqindmijë) lekë.
Në zbatim të nenit 34 paragrafi i gjashtë i Kodit Penal gjoba të paguhet nga i pandehuri Klotilda Bushka, brenda një afati prej 6 (gjashtë) muajsh, nga dita që vendimi gjyqësor merr formë të prerë.
Flutur Xhani
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës Flutur Xhani për veprën penale “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.
Fatjon Baçi
Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatjon Baçi për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vendimeve me burgim”, parashikuar nga neni 324/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim. 11.1. Në zbatim të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale, uljen e 1/3-tës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fatjon Baçi me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Fatjon Baçi për një periudhë prej 4 (katër) vitesh.
Në referim të neneve 59 dhe 60 të Kodit Penal, gjatë kohës së provës, i pandehuri Fatjon Baçi detyrohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Shpenzimet proceduriale u ngarkohen solidarisht të pandehurve.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.


