Parfumet e Beckham përfunduan në pika karburanti, ylli britanik nis betejën ligjore për 41 milionë dollarë

Bota

Parfumet e Beckham përfunduan në pika karburanti, ylli britanik nis
David Beckham ka nisur një betejë ligjore kundër gjigantit të kozmetikës Coty, pasi ka zbuluar se parfumet që mbajnë emrin e tij shiteshin në rrjetin britanik të dyqaneve me çmime të ulëta Poundland, si dhe në pika karburanti.

Përmes kompanisë së tij DB Ventures, e cila administron bizneset dhe të drejtat tregtare të ish-futbollistit, Beckham pretendon se Coty ka dëmtuar imazhin premium të markës së tij, të cilin ai e ka ndërtuar prej dekadash.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatën e Nju Jorkut, kompania akuzohet se ka shpërndarë produkte me vlerë rreth 24 milionë dollarë përmes kanaleve të paautorizuara. Avokatët e Beckham e kanë përshkruar zbulimin e parfumeve në këto pika shitjeje si një shkak për “tronditje dhe indinjatë”, duke pretenduar se produktet po lidheshin me tregtinë e mallrave me çmime shumë të ulëta.

Por pretendimet nuk ndalen vetëm te mënyra e shpërndarjes. DB Ventures akuzon gjithashtu Coty se ka raportuar më pak shitje nga sa janë realizuar në të vërtetë, duke pretenduar se diferenca arrin në 123 milionë dollarë. Sipas kompanisë së Beckham, kjo ka sjellë mospërfitimin e rreth 6 milionë dollarëve në formën e të drejtave të autorit (royalties).

Në total, pala e ish-futbollistit kërkon rreth 41 milionë dollarë dëmshpërblim.

Nga ana tjetër, Coty i ka kundërshtuar pretendimet dhe ka kërkuar rrëzimin e padisë. Kompania mohon që parfumet e Beckham të jenë shitur në Poundland dhe pretendon se çështja nuk lidhet me mbrojtjen e imazhit të markës, por me përpjekjen për të ndërprerë para kohe marrëveshjen mes palëve.

Coty argumenton se DB Ventures po kërkon të largohet nga bashkëpunimi përpara përfundimit të kontratës, në mënyrë që licenca t’i kalojë një kompanie rivale.

Një tjetër element që e bën këtë përplasje edhe më interesante është se në janar të vitit 2026 u njoftua një marrëveshje e re mes markës Beckham dhe kompanisë Interparfums. Kjo e fundit do të marrë përsipër prodhimin dhe shpërndarjen globale të parfumeve të tij për një periudhë 20-vjeçare, duke nisur nga 1 prilli 2028.

Aktualisht, Coty prodhon rreth 45 lloje parfumesh me emrin e David Beckham, të cilat shiten mesatarisht me një çmim prej 20 paundësh për shishe.

Përplasja ligjore vjen në një moment kur emri Beckham mbetet një prej markave më të fuqishme komerciale të sportit dhe modës, ndërsa çështja pritet të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e bashkëpunimit mes palëve, por edhe mënyrën se si do të menaxhohet marka e tij në tregun e parfumeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion