'Nuk largohemi nga sheshi pa largimin e Ramës'/ Edison Lika: SPAK të dërgojë në Kuvend kërkesën për imunitetin e Ballukut

Aktualitet

capture-255-770x377-6abbf655ecf4e.jpg

Aktivisti Edison Lika ka folur nga protesta që po zhvillohet para Kryeministrisë, në ditën e 122-të të rezistencës, duke deklaruar se protestuesit nuk do të tërhiqen nga sheshi pa largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

Lika tha se protesta ka nisur me një objektiv të qartë dhe se, pavarësisht “fitoreve të vogla” që mund të jenë arritur gjatë kësaj periudhe, sipas tij, fitorja kryesore mbetet dorëheqja e Ramës dhe largimi i qeverisë.

“Sot jemi në ditën e 122 të rezistencës. E kemi pasur seriozisht që nga fillimi kur e kemi thënë: nuk largohemi nga sheshi pa largimin e Ramës. Do të marrim nga ky shesh shumë fitore të vogla, por fitorja e madhe është dorëheqja e Ramës dhe e gjithë qeverisë”, u shpreh aktivisti.

Lika deklaroi se protestuesit janë më të motivuar se më parë, ndërsa situatën politike e lidhi me zhvillimet në drejtësi dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Duke iu referuar SPAK-ut, Lika pretendoi se struktura e posaçme e drejtësisë ka vendosur “me shpatulla pas muri” elementë të Partisë Socialiste. Ai përmendi edhe deklaratat e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, lidhur me numrin e personave në paraburgim.

“SPAK ka vënë me shpatulla pas muri elementë të PS. Fakti që sot Balla po thoshte që ne jemi delja e zezë e Europës se kemi shumë njerëz në paraburgim tregon se po i lëviz dheu poshtë këmbëve”, deklaroi Lika.

Në vijim, aktivisti i bëri thirrje SPAK që të vijojë procedurat ndaj zyrtarëve nën hetim dhe të dërgojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

“SPAK t’ia këputë mirë dosjen që të mos ketë nevojë të rrijë në paraburgim fare, të shkojë direkt në burg. Edhe në tetor presim që SPAK të dërgojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, sepse kështu Rama do të mbetet vetëm”, tha ai.

Në përfundim, Lika përsëriti qëndrimin e protestuesve për vijimin e rezistencës deri në largimin e Ramës.

“Fundin Rama e ka afër; ne nuk tërhiqemi e as nuk dorëzohemi”, përfundoi aktivisti.

ME TE LEXUARAT